Kryetari i PD, Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Rama se po kërkon të sabotojë procesin e vettingut që në hapin e parë të tij.
Në një komunikim me mediat paraditen e së martës, Basha i është referuar reduktimit të kërkesave të komisioneve të vettingut, që PS e votoi një ditë më parë në mënyrë të njëanshme.
“Në këtë mënyrë vettingu do të mbetet në dorë të drejtorëve të Edi Ramës, që e donte këtë gjë që në fillim”, ka deklaruar Basha.
Ai ka theksuar se, Edi Rama duhet të ndahet, ose me bandat, ose me drejtësinë. “Nuk mund të jetë drejtues i bandës së Elbasanit apo asaj të Vlorës dhe të dalë si kampion i drejtësisë. O me bandat, o me drejtësinë”, ka thënë Basha.
Kreu i partisë më të madhe të opozitës ka paralajmëruar se të enjten grupi parlamentar i PD do të propozojë në Kuvend amendamentet në mbështetje të kërkesave të komisioneve të vettingut.
Ndërkohë, sa i takon reformës zgjedhore, Basha është shprehur i gatshëm për një takim me kryeministrin, por kjo sipas tij nuk është thelbi i problemit.
“Jam ulur me Ramën dhe ulem edhe me pasardhësin e tij për reformën zgjedhore, por problemi qëndron nëse do të zgjidhim diçka”, ka thënë Basha.
Sa i takon PD, Basha ka paralajmëruar një proces konsultimi në radhët e saj, që do ta bëjnë këtë parti, sipas tij, “më të fortë, më demokratike dhe më të bashkuar”.
Diskutime rreth kësaj post