Nga Ervin Qafmolla
Është ironike sesi pas një bashkëpunimi afatgjatë, sa të heshtur e sa të koordinuar, mes klikave të ndryshme për zhdukjen e dosjeve të komunizmit, sot po nis një verifikim bizarre i figurës së të vdekurve dhe pak pleqve që janë gjallë, për çështje “dekoratash”.
Një nismë ligjore nga Kryeministri Edi Rama synon verifikimin dhe heqjen eventuale të dekoratave, titujve dhe medaljeve për anëtarët e Byrosë Politike, bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit dhe role të tjera funksionarësh komunistë. Nuk ka harruar as veteranët e Luftës Nacional-Çlirimtare.
Sa për të mos harruar kontekstin; sot për sot mund të vërejmë gjurmë të një dashurie në rritje të establishmentit ndaj trashëgimisë enveriste (siç është fetishi i pajustifikuar ndaj Gjirokastrës dhe aristokracisë së “Bllokut”). Por, kemi po ashtu, edhe shpalosjen e padukshme të neverisë ndaj atyre që luftuan kundër fashizmit. Partizani i panjohur që prej vitesh i ka kthyer bythët sheshit me pahir, lapidari i dëshmorëve në Pazarin e Ri është fshehur prej muajsh pas një lejleku prej kashte jopërfaqësues ndaj pazarit (por është aty sepse ka një restorant peshku), krahas venitjeve të tjera të qëllimshme apo inerte të trashëgimisë së luftës.
Tani, me nismën e fundit dhe të kotë të ‘pastrimit të ndërgjegjes’ dhe ‘larjes së duarve me historinë’, duket sikur tentohet të hapet një debat i kotë që nuk ka as viktima e as përfitues. Dhe jo, as nuk ndihmon në zbardhjen e krimeve të së shkuarës. Ndoshta, thjesht konsumon kohë mediatike përballë nismave të pista si ai për importin e plehrave apo plehrave të tjera që do të shndërrohen në ligj.
Një aspekt interesant i kësaj nisme ligjore është që nuk u shkakton asnjë pasojë kriminelëve komunistë që mund të jenë gjallë, madje mund të thuhet se kjo aventurë arkeologjike vjen në një kohë kur mund të jemi të sigurt që, përjashto ndonjë kancer të gjallë si Nexhmije Hoxha, çdokush tjetër ka vdekur. Ndaj, nuk mund të mos pyes veten se kujt i shërben diçka e tillë dhe cili është rezultati përfundimtar?
Sa për ta ilustruar situatën me një shembull: Gjyshi im i ndjerë nga ana e sime mëje, Kadri Musai, ka qenë ish-Kryetar i Frontit demokratik të Elbasanit. Ka qenë edhe ish-komandant batalioni partizan dhe ka marrë pjesë në një sërë luftimesh ndaj pushtuesve. Ka pasur dhjetëra dekorata e tituj, dhe në pleqëri e bënë edhe qytetar nderi të Gramshit. Gjyshi ka vdekur dhe përveç ca kujtimeve e fjalëve kryesisht të mira që thonë për të, të tjerat i ka marrë me vete dhe vetëm ai i di.
Tani, nëse i heqin çfarëdo titulli e dekorate të mundshme, çfarë u bë? Kush do ketë kohë nga nipërit e stërnipërit e tij të merret me vendimet e Komisionit Higjienik të Meritave Dekorative, të cilat në rastin më të keq do na shkaktojnë thjesht bezdi dhe ca doza trishtimi? Realisht, kujt i plasi në fund të fundit se i çshkruhen nga qitapët ca merita, ndërkohë që çfarë vlen është (mbetet) realiteti.
Gjyshi tjetër, nga ana e tim ati, Tahsim Qafmolla, u përndoq nga fashistët italianë duke u dënuar me vdekje, ndërkohë që mbante gradën Kapiten në qeverinë kukull të asaj kohe. Tahsimi bënte lojë të dyfishtë, duke i ndihmuar kauzës antifashiste. Pasi i shpëtoi trikëmbëshit italian, e cila është një aventurë më, gjatë periudhës së ndritur të Shokut Enver, u dënua me burg për “ofendim të trupit gjykues”, një justifikim surrogat i ‘krimit të vërtetë’, i cili ishte që Tahsimi ka qenë nacionalist, anti-komunist.
Ironia është që unë jam mësuar të kem kurdoherë dy gjyshër të kundërt, që në kohë të ndryshme ishin secili herë i mirë e herë i keq. Njëri ishte gjithmonë heroi, ndërsa tjetri gjithmonë armiku. I ndërronin vendet herë pas here. Asnjëherë nuk ishin të dy të mirë apo të dy të këqij. U deshën shumë vite dhe një venitje e poleve ideologjike absolutiste që ata të barazoheshin në një kontekst të normalizuar nga trutë (personalisht, bazuar në kujtimet e mia dhe çka të tjerët thonë për ta i gjykoj si burra të mirë dhe të ndershëm).
Tani psikoza e kohëve ka ndryshuar sërish dhe rrota e meritave dhe fajeve po fillon, po ashtu, të lëvizë. Në mungesë të dosjeve të famshme që vetë i asgjësuan, do fillojnë me komisione që nuk shkojnë më thellë se centimetrat e dheut që mbulojnë mëkatet e paraardhësve të atyre që do kryejnë këto hetime.
Pyetja 1 milion dollarëshe: Mirë njërit gjysh që ka qenë kryetari i Frontit Demokratik do ia heqin medaljet (apo çfarë ekzaktësisht), po gjyshit tjetër që nuk i ka pasur kurrë, a do i japin ndonjë? Se po i imagjinoj të gjorët në të përtejmen duke bërë muhabet, tek shëtisin ndanë një bregu ngjyrë vjollcë me ujë të praruar dhe kozmosin e amshuar që u vërtitet mbi krye, duke komentuar bëmat e ne të gjallëve. Ndoshta bezdisen edhe ata, ndoshta thjesht i ndjekin me interes, ndoshta qeshin. A kanë të vdekurit sens humori?
Përgjigjet për këto pyetje nuk dihen. Ndoshta, të vdekurit do ishin pajtuar që ky ligj është “shumë pak dhe shumë vonë”. Por, çfarë dihet me siguri është që ndërsa ne të gjallët flasim për ta, ata vetë i thurin lavde Udhëheqësit të Dashur që kujtohet të nxisë nisma të tilla kalorësiake dhe të një rëndësie jetike për të vdekurit.
Diskutime rreth kësaj post