Dy misione të Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë mbërritur në Tiranë. Mësohet se njëri prej tyre do të ketë një vizitë të shkurtër dhe tjetri afatgjatë. Ekspertët e FMN-së do të zhvillojnë takime me përfaqësues të lartë të ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë.
Fondi do të konsultojë qeverinë e re për paketën fiskale të vitit 2018-të dhe hartimin e buxhetit, ndërsa do të diskutohet edhe për fatin e marrëveshjes që do të ketë FMN me qeverinë e re.
Të dyja palët, si FMN dhe qeveria, janë shprehur parimisht dakord për një tjetër marrëveshje 3-vjeçare, por programi i dytë do të ndryshojë nga i pari. Marrëveshja që FMN kishte në 2013-ën ishte monitoruese, ndërsa e dyta pritet të jetë vetëm këshilluese.
Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, aprovoi në fund të muajit shkurt mbylljen me sukses të programit trevjeçar me Shqipërinë. Aprovimi me sukses i mbylljes së programit, por edhe rishikimi i nëntë dhe i dhjetë së bashku me mbylljen e programit, bëri të mundur disbursimin e transhit të fundit prej 73.2 milion euro po brenda kuadrit të marrëveshjes. Në total në kuadër të marrëveshjes, nga ana financiare janë disbursuar 377.3 milion euro në buxhetin e shtetit.
Shefja e Misionit të FMN-së, Tuladhar deklaroi se kishte rënë dakord me autoritetet shqiptare për prioritetet e politikave në kuadër të Monitorimit pas Programit.
FMN rekomandonte edhe disa prioritete, ndër të cilat, të vijohet zgjerimi i të ardhurave për të fuqizuar financat publike dhe për të siguruar qëndrueshmërinë në kohë të borxhit, të ulet niveli i kredive nën standard për të fuqizuar stabilitetin financiar dhe për të mbështetur rimëkëmbjen e huadhënies dhe të çohen përpara reformat strukturore për të përmirësuar klimën e biznesit.
Programi 36-mujor në formë EFF-je për Shqipërinë është miratuar më 28 shkurt 2014 dhe përfundoi në shkurt të vitit 2017.
Diskutime rreth kësaj post