Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një nismë për heqjen e dekoratave, titujve dhe medaljeve për anëtarët Byrosë Politike, bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit dhe disa funksionarë që kanë shërbyer në sistemin komunist.
Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, duke qenë se regjimi i kaluar ka qenë zhgënjyes për një kategori të caktuar shqiptarësh përfshirë këtu edhe Ramën personalisht, por jo familjen e tij. Sikundër jo familjen e Berishës dhe të thuajse 99% të Kuvendit kur marrim parasysh se janë të pakët deputetët e ish-persekutuar për shkaqe politike.
Me fillimin e Legjislaturës së re, mazhoranca dhe mediat pranë saj kritikuan ashpër Partinë Demokratike e cila në vitin 2017 vijon me tezat e anti-komunizmit dhe duke tundur flamurin e “fitimtarit” të viteve `90. Në fakt, e gjithë kjo tallje me kauzën e vjetërsuar të PD, po pasohet nga një nismë ligjore e bazuar në komplekset e Ramës, që nuk kanë aspak lidhje me trashëgiminë e PPSH, por me vjedhje kauze. Sikundër u tallën me nacionalizmin e Kreshnik Spahiut dikur dhe e përqafuan po vetë si tezë në zgjedhjet e 2017, sot PD dhe PS janë në garë ende se cila parti është më antikomuniste.
Nisma për heqjen e dekoratave tregon vetëm një frikë që partitë e mëdha kanë për shkak të nostalgjisë ende të fortë në popull ndaj regjimit komunist. Dhe kjo nostalgji, jo sepse ishte forma e jetesës më e mirë, por sepse ne 27 vite “demokraci” punoi qorri dhe hëngri horri.
Ka disa probleme të mëdha në çështjen e heqjes së dekoratave. Së pari, funksionarët e lartë kanë përfituar dikur dy lloje titujsh të lartë: Hero i Popullit dhe Hero i Punës Socialiste. Titulli i parë është dhënë për merita në luftë, ndërsa i dyti për shërbime ndaj Atdheut në ndërtimin e socializmit. Nëse Rama do fillonte të hiqte heronjtë e popullit, Lufta Nacional-Çlirimtare do të mbetej pa heronj dhe Shqipëria pa historinë e luftës para botës.
Së dyti, praktika e heqjes së dekoratave është aplikuar edhe nga vetë Presidiumi i Kuvendit Popullor, kryesisht kur iu hoqën titujt e Heroit të Popullit Beqir Ballukut, Hito Çakos, Petrit Dumes, Rrahman Parllakut dhe Sadik Bekteshit. Heqja e dekoratës nuk heq meritat e luftës qoftë edhe të vetë Enver Hoxhës. Emrat e sipërpërmendur u rehabilituan në kohën kur vendi drejtohej nga Sali Berisha. Një pjesë e tyre pas gjetjes së eshtrave u përcollën edhe me ceremoni shtetërore, nga ish-SHQUP ku sot ndodhet Partia Demokratike. Problemi është se përse Sali Berisha që në 25 vite e ka drejtuar vendin 14 vite nuk mori kurrë një nismë për heqjen e “Heroit të Popullit” ndaj Enver Hoxhës? Ky i fundit e mban dy herë këtë titull “Për meritat në udhëheqjen e LANÇ” dhe “Për luftën e tij në mbrojtjen e socializmit”. Si dhe një sërë dekorimesh jashtë vendit, kryesisht në ish-Bashkimin Sovjetik, Bulgari dhe ish-Jugosllavi.
E pra, një veprim që nuk e bëri Berisha, përse duhet ta bëjë Rama ku pjesa më e madhe e elektoratit socialist vjen pikërisht nga familje dëshmorësh dhe funksionarësh të lidhur me regjimin. A nuk mjafton pakënaqësia e shkaktuar ndaj elektoratit të PS nga vetë lidershpi i Ramës saqë u dashkan hequr edhe dekoratat?
Dhe e fundit: Si do hiqet një titull që nuk ekziston më? Fjala bie, Medalja e Çlirimit dhe Heroi i Punës Socialiste? /Lajme.al
Diskutime rreth kësaj post