Një zyrtar i vjetër dhe i lartë i policisë norvegjeze është dënuar me 21 vjet burg për marrje ryshfeti dhe ndihmë ofruar një trafikanti famëkeq droge.
Oficeri Eirik Jensen, i cili ishte përgjegjës për luftimin e krimit të organizuar në kryeqytetin Oslo, ishte arrestuar në vitin 2014. Ditën e hënë, gjykata pranoi faktin se ai kishte pranuar të paktën 71 mijë e 300 euro për të ndihmuar në kontrabandimin e tonelatave hashash në Norvegji.
Nga ana tjetër, avokati i tij mohon që Jensen të ketë shpërdoruar detyrën dhe ka deklaruar se ka në plan ta apelojë vendimin.
Dënimi prej 21 vjet për korrupsion është maksimumi që lejon ligji norvegjez dhe raste të tilla përbëjnë ngjarje të rralla në vendin nordik.
Zakonisht ai renditet si një ndër vendet më të pakorruptuara, duke u renditur i gjashti në renditjen globale anti-korrupsion të hartuar nga Transparency International.
Jensen ndihmoi në trafikimin e rreth 14 tonelatava kanabis, të cilat kanë hyrë në Norvegji në periudhën 2004-2013, u tha në seancën gjyqësore ndaj tij.
Trafikanti Gjermund Cappelen, i cili pas arrestimit pranoi trafikimin e hashashit dhe u kthye në dëshmitar ndaj Jensen, u dënua me 15 vjet burg. Mediat norvegjeze raportojnë se dënimi i tij u reduktua pikërisht për shkak të bashkëpunimit që ekspozoi ish-oficerin e lartë.
Jensen dhe Cappelenm kishin shkëmbyer qindra sms për rreth një dekadë, disa prej të cilëve për detaje të operacioneve të policisë dhe doganave.
Diskutime rreth kësaj post