Arratia e 20 vjeçarit Emirjon Nikja, të riut nga Tirana që u arratis nga komisariati i policisë së Pukës duket se ka zgjatur vetëm gjashtë ditë.
Arrestimi i tij erdhi pas një operacioni të organizuar nga forcat e Komisariatit të Policisë Pukë, në bashkëpunim me forcat e Komisariatit të Policisë Vau Dejës, mbi bazën e një informacioni policor, në zonën e Karmës, gjatë rrugës për në Koman, ku qëndronte i fshehur, Ermirjon Nikja 20 vjeç, lindur në Karmë, Vau Dejës, banues në Laprakë, Tiranë, i dënuar edhe më parë për disa vepra penale.
Nikja, i arrestuar me akuzën e grabitjes, ndërsa priste për t’u transferuar për në Shkodër, ka arritur të dalë nga dritarja e një dhome në katin e dytë të komisariatit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00, të së shtunës gjatë kohës që po përgatitej dokumentacioni për transferim e tij në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Shkodër.
Ndërsa 20-vjeçarin e kishin lënë në dhomën e shoqërimit të Komisariatit të Policisë Pukë pa pranga në duar, i arrestuari, banues në lagjen “Don Bosko” në Tiranë, ka arritur të heqë me forcë hekurat nga dritarja dhe më pas është larguar me shpejtësi. Nga hetime paraprake, rezulton se inspektorët e policisë po përgatisnin makinën me të cilën do të kryenin transferimin në momentin e arratisjes së 20-vjeçarit.
Në pak minuta, Nikja ka mundur që të heqë me forcë zgarën e hekurave që qëndron në çdo dritare të komisariatit për të parandaluar arratisjet. Më pas, i riu që njihet nga policia e kryeqytetit si i dyshuar për grabitjen në seri të bizneseve dhe banesave, ka arritur të dalë nga ambientet e komisariatit pa tërhequr vëmendjen e asnjë punonjësi policie.
Nikja, i cili rezulton person me precedentë kriminalë, pasi është dënuar në vitin 2013 për “vjedhje”, po mbahej i arrestuar lidhur me një ngjarje të ndodhur në gusht të këtij viti, ku grabiti një emigrant në Pukë.
Për arratisjen e tij SHÇBA ka arrestuar punonjësit e policisë, inspektor Pajtim Bushin dhe inspektor Dodë Prekën, me detyrë trupë shërbimi pranë këtij komisariati. Arrestimi i dy punonjësve u bë pas kryerjes së veprimeve hetimore, ku u konstatua se nga ana e tyre nuk janë zbatuar detyrat funksionale të përcaktuara për sigurimin e personave të shoqëruar dhe ambienteve ku ata qëndrojnë.
Diskutime rreth kësaj post