Nga Mero Baze
Sa herë që nis një sesion i ri parlamentar, politika shqiptare ndeshet me një traditë të pështirë të krijimit të grupeve parlamentare fiktive. Prej dje, tre kryetarë partish të djathta, që dalin gjithë jetën deputetë, ose me siglën e PS, ose me siglën e PD, filluan praktikën e tyre të krijimit të një grupi të ri parlamentar.
Më i shquari prej tyre është Fatmir Mediu. Ky njeri, prej vitit 2001 del rregullisht deputet nga lista e PD dhe na mbin në sy si kryetar republikan, edhe pse nuk ka guxuar kurrë të dalë deputet si i tillë.
Kjo praktikë, përveçse është fyese për elektoratin shqiptar, është dhe pranim publik i korrupsionit prej Parlamentit të Shqipërisë. Pavarësisht xhepave ligjorë që ata gjejnë, Parlamenti i Shqipërisë bën me ndërgjegjie një vepër korruptive, pasi lejon të krijohet një grup parlamentar fiktiv, i cili trajtohet ndryshe politikisht dhe financiarisht, duke devijuar rregullat e lojës para zgjedhjeve.
Pra, është një vendim që ka ngarkesë edhe financiare, dhe si i tillë është akt i pastër korrupsioni, për të cilin dikush duhet të përgjigjet.
Një grup i ri fiktiv, kërkon një buxhet të ri, kërkon pagesë ekstra për pjesëmarrje në konferencën e kryetarëve, ka më shumë hapësirë për dalje televizive etj. Pra, është një akt korruptiv i ndërgjegjshëm nga vetë Parlamenti i Shqipërisë, i cili duhet të marrë fund.
Gjatë debateve për reformën elektorale para zgjedhjeve të 25 qershorit, u fol se PD dhe PS do të bëjnë ndryshime që ndalojnë një deputet që ka fituar nën siglën e një partie, të ndryshojë parti. Kjo ndoshta do të bëhet dhe në të ardhmen, por ajo që mund të bëjë tani Kuvendi i Shqipërisë, është të ndryshojë rregulloren e Kuvendit dhe ta ndalojë këtë trafik të pastër deputetësh për qëllime tërësisht financiare dhe spekulim politik.
Përse Shqipëria duhet të paguajë për Fatmir Mediun para të tjera, kur ai nuk është i zoti të dalë qoftë dhe deputet si republikan?
Përse këtij njeriu i duhet lehtësuar procedura e regjistrimit të partisë në mandatin e ardhshëm, kur vetë ka braktisur PR-në dhe është futur në çadrën e Lulzim Bashës për t’u bërë deputet?
Ky është i vetmi që me tinzari e regjistroi dhe Partinë Republikane formalisht në zgjedhje, duke mos qenë vetë kandidat i saj, që të ketë të drejtën e krijimit të grupit dhe siglës dhe tani merr gjashtë deputetë borxh për t’u dukur sikur ka grup parlamentar.
Dhe po t’i shtosh faktin që kandidimi i tij brenda PD-së, u përdor dhe për të zbuar jashtë kundërshtarët e Bashës, është dhe një produkt antidemokratik.
Nëse ai, Ndoka, Dule apo dikush tjetër, kërkojnë vërtet të largohen nga grupi i PD, se “nuk u përputhen idetë” me Bashën, është e drejta e tyre, dhe le të rrijnë si deputetë të pavarur në Kuvend. Kjo është liria maksimale që mund të ketë një deputet që shkon në Kuvend me votat e një elektorati të caktuar.
Pasi nëse dikush e logjikon këtë si veprim normal, atëhere PS që ka 74 deputetë, mund të krijojë pesë grupe parlamentare, të marrë buxhete të reja, dhe t’i ketë për të regjistruar pesë parti të reja në zgjedhjet e ardhshme. Ky është një degradim i parlamentarizmit, por dhe një situatë korruptive e vetëdijshme që duhet ndëshkuar. Se jo për gjë, por po kujdesen ta paraqesin dhe si “disidencë” ndaj PD-së, ikjen për t’u vjedhur ca lekë më shumë shqiptarëve. Në fakt, ata janë aty si zjarrfikës të disidencës kundër Bashës dhe tani në zanatin e tyre, si trafikantë votash.
Diskutime rreth kësaj post