Tre deputetë demokratë kanë refuzuar të drejtojnë seancën e parë të legjislaturës së re të shtunën e 9 shtatorit.
Ashtu si 4 vjet më parë, edhe këtë herë deputeti demokrat Sali Berisha ka refuzuar të jetë ai drejtuesi i kësaj seance të parë ashtu siç e parashikon neni 1 i rregullores së Kuvendit, që deputeti më i vjetër në moshë të drejtojë mbledhjen e parë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.
Ish-kryeministri pritet të jetë i pranishëm në seancë, por nuk ka pranuar ta drejtojë atë. I dyti në listë është sërish demokrat, deputeti Tritan Shehu, por edhe ai në këtë rast, bashkë me demokratin tjetër Halim Kosova kanë refuzuar gjithashtu, duke preferuar të mos e çelin këtë sesion të ri parlamentar.
Burime i thanë Top Channel se do të jetë socialisti Besnik Bare ai që ka pranuar të hapë dhe drejtojë seancën deri në votimin e kryetarit të ri Gramoz Ruçi.
Të shtunën, Kuvendi do të mbajë dy seanca të njëpasnjëshme. E para, e dekretuar edhe nga presidenti I Republikës Ilir Meta, është ajo e paradites në orën 10, ku do të bëhet konstituimi i Kuvendit të ri. Duket se axhenda e kreut të shtetit ka përshpejtuar proçedurat.
Diskutime rreth kësaj post