Ish-oficeri i Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Vlorës, për të cilin mediat gjermane shkruanin dje se është kërcënuar e rrezikon jetën, tregon për “Panorama” se është shkarkuar pa asnjë motiv nga puna.
Ndërsa lidhur me reagimin e djeshëm të Prokurorisë, ai thekson se nuk ka kërkuar dhe nuk do të kërkojë ndonjëherë azil.
Arben Jorgaqi ironizon edhe më faktin që në reagim është theksuar se ai ka hetuar çështje për vjedhje kapakësh pusetash. Ndërsa sfidon prokurorin e Vlorës, Ramadan Troci, që të publikojë një dosje të tij për vjedhje të tilla.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Arben Jorgaqi shprehet se ka punuar për 10 vjet si oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Vlorës, nga viti 2007 deri në prill të këtij viti, kur e transferuan në Përmet.
Ndërsa thekson se ka hetuar çështje nga më të ndryshmet, nga vrasjet e trefishta, marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur, falsifikime, e deri te shpërdorimi i detyrës nga zyrtarë të lartë.
Jorgaqi shprehet se Prokuroria e Vlorës pushon hetimet për njerëz që i mban 7 muaj në kërkim, me mandat arresti, pa i marrë as në pyetje.
Diskutime rreth kësaj post