Nga Mero Baze
Gjëja më joserioze e pas 25 qershorit, është rituali i përfoljes së qeverisë së re dhe argëtimi me reagimin e atyre që kanë interes për të. Është ndoshta një nga shëmtitë e mëdha, e cila argëton padyshim dhe Edi Ramën.
Formimi i një qeverie nga fituesi, dhe sidomos nga një fitues i plotë si Edi Rama, është një përgjegjësi e madhe, pasi nuk të lë vend për alibi. Për herë të parë Edi Ramën e ka “dënuar” Zoti, të mos ketë asnjë alibi për dështimet e mundshme, për defektet e mundshme dhe mbi të gjitha, për zgjedhjet e gabuara apo të imponuara nga koalicioni. Ai ashtu siç është i bekuar ta zgjedhë vetë qeverinë, është i dënuar dhe të mbajë përgjegjësinë për të.
Por për shkak të një defekti të rëndë kushtetues, peshqesh nga dyshja Berisha-Rama, kur ne duhet të mbyllim zgjedhjet në qershor dhe të formojmë qeveri në shtator, kemi një periudhë tre mujore boshllëku, që kur ka rotacion kthehet në masakër ndaj shtetit, dhe kur ka rikonfirmim, kthehet në një periudhe spekulimi dhe diversioni të pakuptimtë.
Kjo që po ndodh tani me qeverinë e pritshme të shtatorit, është një abuzim i Edi Ramës.
Nuk dua të fajësoj asnjë gazetë, TV, apo portal, që përflet emra. Askush nuk ja ndal dot fantazinë askujt, dhe askush nuk ndalon dot asnjë deputet apo politikan të bëjë lobim qesharak nëpër portale e redaksi, për të nxjerrë emrin e vet.
Problemi është tek kryeministri.
Englendisja e tij me këtë histeri emrash, me mitomanë që publikojnë qeveri, me të tjerë që heqin dhe vënë ministra, me të tjerë që shpikin kritere dhe testojnë aftësinë për lobim, është një dëm i madh që i bëhet pikësëpari shumicës së re.
E drejta e Edi Ramës për të formuar qeverinë e tij shkon paralel me detyrimin e tij për të ruajtur integritetin e shumicës.
Prej 25 qershorit, ai i ka qëndruar larg debateve për përbërjen e qeverisë, bile dhe kritereve për formimin e saj, pasi ju përkushtua një procesi formal dëgjesash. Deri diku ishte një dalje e mirë për të mos diskutuar një temë delikate si qeveria.
Por pas kësaj, ka pasur një stinë të begatë spekulimesh, të cilat kryeministri ose duhet t’i ndalte me një qëndrim publik, ose duhet t’i konfirmonte, ose përgënjeshtronte, duke e bërë të qartë që qeveria e vetme është ajo që do të prezantojë ai në një datë të caktuar.
Kjo, jo aq për të qetësuar ata që duan të jenë në kabinet, apo të tjerë që nuk kanë shpresa të jenë, por për të ruajtur mbi të gjitha integritetin e shumicës.
Për të gjithë ata që mendojnë se ky është një mandat i lehtë, pasi ka një shumicë të qartë, duhet të kuptojnë mirë se ky është një mandat ku nuk ka rëndësi kush është ministër, por kush është deputet i shumicës socialiste. E ardhmja e këtij mandati varet nga integriteti i shumicës parlamentare, fuqisë së saj, dhe aftësisë së Edi Ramës për t’i mbajtur ata të bashkuar dhe të motivuar. Demotivimi i grupit parlamentar socialist, mund të jetë një nga humbjet më të mëdha që Rama mund të pësojë, nga dëshira e tij për t’u englendisur me emra kotë ministrash dhe me gallate reagimesh pas tyre.
Edi Rama e ka gjithë përgjegjësinë dhe gjithë të drejtën të deklarojë kur të dojë qeverinë, pa e kthyer atë në një teatër. Ai po ashtu ka të drejtë të zgjedhë rrugën e tij të konsultimit publik apo privat me faktorët politik brenda PS-së. E vetmja gjë e gabuar është kjo që po bën, që lejon shtypin të shpikë qeveri dhe vetë argëtohet duke qetësuar të mërziturit e duke dëshpëruar të gëzuarit kot. Është një humbje energjish pa kuptim, për shkak të dëshirës për të bërë gallatë me një çështje shumë serioze, me një shumicë e cila u fitua me shumë mundim dhe jo vetëm nga Edi Rama. Një shumicë ku nuk ka rëndësi kush do jetë ministër, por kush do jetë në parlament për të ruajtur shumicën, që të mos përfundojë përsëri tek tepsia.
Diskutime rreth kësaj post