Personi që e ka parë për herë të fundit autorin e krimit në familje, pak momente pasi kishte vrarë gruan, është vëllai i tij, i cili jeton në shtëpinë pranë tij.
Pasi ka dëgjuar krismën e armës, ai ka dalë nga shtëpia për të parë se çfarë po ndodhte në banesën e të vëllait. Në momentin që është afruar te porta ka parë Halil Litën, i cili kishte dalë në derën e jashtme të shtëpisë dhe po qëndronte aty me armën në dorë. E ka pyetur i trembur se çfarë kishte ndodhur, por sipas tij, i vëllai ishte në gjendje të rëndë.
“Gjithçka ka mbaruar”, i ka thënë autori dhe është futur sërish brenda në shtëpi. Më pas, aty ai ka vrarë edhe veten.
“Kur dëgjova të shtënën e armës dola me nxitim nga shtëpia për të parë se çfarë po ndodhte në shtëpinë e Halilit. Sapo kam arritur të hap portën e shtëpisë së tij, e kam parë që po rrinte te dera me automatik në dorë. E kam pyetur se çfarë po ndodhte. Ai ishte shumë i tronditur. Nuk e dinte më se ku ishte. ‘Tani nuk kthehet asgjë mbrapsht. Gjithçka ka mbaruar’, më tha dhe u fut prapë në shtëpi.
Nxitova që ta ndaloja e shkova pas tij, por ishte vonë. Kur unë hyra brenda, dëgjova një tjetër të shtënë arme. Më pas e gjeta të vrarë në kuzhinë”, ka treguar para oficerëve të Policisë, vëllai i autorit të krimit në familje.
Ndërsa i pyetur për ndonjë motiv të mundshëm të ngjarjes, ai ka deklaruar se nuk ka dijeni që çifti të kishin probleme. Sipas tij, mund të kenë pasur debate siç ka në çdo familje, por jo të këtyre përmasave, sa të arrinte puna deri në vrasje. Nga ana tjetër, vëllai i autorit ka hedhur poshtë dyshimet për ndonjë motiv të mundshëm xhelozie, duke u shprehur se ata ishin në një moshë të tillë që nuk mund të kishin probleme të kësaj natyre. Duke shtuar se gjithçka mund të ketë ndodhur për një moment dhe të vëllait mund t’i ketë dalë situata nga kontrolli në nerva e sipër.
Megjithatë, ai s’ka qenë në gjendje të japë më shumë shpjegime rreth asaj që ndodhi në shtëpinë e vëllait të tij, mëngjesin e djeshëm.
Pavarësisht se ata janë prindër të 5 fëmijëve, prej disa vitesh jetonin vetëm. Tri vajzat e tyre janë martuar, ndërsa dy djemtë jetojnë në emigracion, njëri në Britaninë e Madhe e tjetri në Itali. Madje, njëri prej djemve kishte ikur nga Shqipëria ditën e shtunë, pasi kishte qëndruar për disa ditë pushime pranë prindërve. Burimet thanë se ende nuk janë sqaruar tërësisht motivet e krimit, por po hetohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Diskutime rreth kësaj post