Pas zjarreve Shqipëria mund të përballet me një tjetër forcë të natyrës, të kundërtën e asaj që ka patur nën kurriz këtë verë.
Shqipëria shumë shpejt do të përballet me përmbytje. Drejtori i Koordinimit me Prefekturat në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Bekim Murati në një takim me shtabin e emergjencave civile në Berat, u ka bërë apel kryetarëve të 5 bashkive të qarkut të marrin masat për pastrimin e kanaleve kulluese, të cilat gjatë kësaj periudhe kanë grumbulluar aluvione për shkak të thatësirës.
Bekim Murati: Të fillojë veprimi konkret për të pastruar kanalet dhe për të bërë gati situatën që do të vijë ndoshta pas 15 shtatorit apo fillim tetorit.
Ndërsa Drejtori i përgjithshëm i Zjarrëfikseve, Alfred Kristuli ka kërkuar ngritjen e strukturave të shërbimit pyjor,në mënyrë që të kryejnë pastrimin e pyjeve, krijimin e rrugëve të kalimit brenda tyre dhe vendosjen e vrojtuesve,pasi vetëm në zonën e Skraparit janë 85 mijë ha pyje dhe kullota nuk kanë asnjë rrugë hyrëse për mjetet zjarrëfikëse.
Alfred Kristuli: Janë mjetet që hyjnë vetëm në qytete, nuk janë mjete speciale që mund të operojnë në terrene të vështira, të thyera.
Si rezultat i 192 zjarreve të rëna gjatë muajve Maj-Gusht në qarkun e Beratit,janë dëmtuar nga zjarret :9 mijë 935 rrënjë ullinj,525 rrënjë dru frutor dhe është shkrumbuar një sipërfaqe prej 457 ha me pisha shekullore, lis e shkurre.
Diskutime rreth kësaj post