Bashkësia Islame e Kosovës po favorizohet financiarisht nga Qeveria e Kosovës, është ky një nga shqetësimet e drejtuesve të komuniteteve tjera fetare që kanë shprehur tek Ambasada e Kosovës në SHBA. Ky shqetësim është përmendur në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Liritë Fetare i publikuar së fundmi.
“Qeveria qendrore ia siguron disa fonde arsimit islam në BIK: Medresetë në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan. Qeveria nuk siguroi fonde për edukimin fetar për ndonjë grup tjetër fetar. Disa anëtarë të grupeve të tjera fetare dhe të përfaqësuesve laikë shprehën shqetësim rreth financimit të qeverisë për edukimin fetar te Medresetë dhe jo edhe tek të tjerët”, thuhet në raportin e Departamentit të Shteti
Në këtë raport, një hapësirë e veçantë i është kushtuar ri-draftimit të Ligjit për Liritë Fetare, një iniciativë që ekziston për shumë vite në Kosovë, por që nuk ka përfunduar kurrë. Drafti i ri që ishte propozuar së fundmi dhe ishte përkrahur edhe nga diplomatët në Kosovë krijoi edhe një përçarje mes tyre dhe Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK). Ky draft i ri hapte rrugë për ndarjen e ‘sufinjëve’, apo tarikateve siç njihen në vend, nga BIK’u. Rrjedhimisht, edhe zvogëlimin e pronës së BIK’ut, pasi që tarikatet janë mjaftë të pasura në këtë aspekt.
Por, rreth kësaj, raporti flet edhe për një aspekt tjetër të ligjit, atë të lejimit të bashkësive fetare që të regjistrohen si persona juridikë. ”Ligji nuk lejon që grupet fetare të regjistrohen si persona juridikë, duke krijuar pengesa për ta në kryerjen e punëve të tyre. Qeveria miratoi dhe parlamenti shqyrtoi, por nuk votoi për një projektligj që do t’i lejonte grupet fetare të regjistroheshin si persona juridikë në mënyrë që ata të ishin në gjendje të zhvillonin çështje biznesi dhe juridike me shtetin dhe subjektet private”, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit.
Raporti i ka kushtuar vëmendje edhe ankesave të BIK’ut dhe të Kishës Serbe në Kosovë kundër mediave.
“Kisha Ortodokse Serbe (KOS) kritikoi mediat për thirrjen e përfaqësuesve të saj “kriminelë” dhe për atë që tha se ishte duke kontribuar në një klimë të jotolerancës. BIK tha se media përgjithësisht portretizoi myslimanët në “një dritë” negative”, shkruan në këtë raporto.
Raporti është fokusuar veç e vet tek të gjitha incidentet që në thelb kanë pasur motivin fetarë, nga sulmi ndaj pelegrinëve serë në Gjakovë e tek disa incidente që kanë ndodhur me Kishën Ortodokse në oborrin e Universitetit publik të Prishtinës, “Hasan Prishtina”.
Në këtë raport është përmendur edhe rasti i imamit Zekirja Qazimi, të cilit Departamenti Amerikan i Shtetit i referohet si një ish-imam i BIK’ut. “Më 20 maj, Gjykata Themelore e Ferizajt dënoi Imamin Zekirja Qazimi, formalisht më parë i angazhuar në një xhami e BIK-ut në Gjilan, me akuza për rekrutim për terrorizëm dhe nxitje të urrejtjes, dhe e dënoi me 10 vjet burgim. Më 25 nëntor, Gjykata e Apelit konfirmoi dënimin e tij”, shkruan raporti.
Një pjesë e këtij raporti i është kushtuar edhe fakti që disa komuna në vend ende nuk u kanë dhënë zgjidhje kërkesave të protestantëve në vend që të kenë edhe ata varrezat e tyre ashtu siç i kanë komunitetet e tjera fetare.
Për dallim nga raportet e kaluara, sikurse raporti i viti 2015 ku Departamenti Amerikan i Shtetit përmendëte atëherë me emra imamë që po shpërndanin gjuhë të urrejtjes, këtë vit në këtë raport më shumë ka pasur një përshkrim të ngjarave që tashmë janë publike dhe nuk janë ngritur shqetësime të reja të veçanta.
Diskutime rreth kësaj post