Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka akuzuar Gjermaninë se po mbron terroristët, në një përplasje në thellim e sipër mes Ankarasë dhe Berlinit.
Duke folur në një konferencë në provincën buzë Detit të Zi, Rize, Erdogan tha se Turqia i kishte dhënë Kancelares Merkel 4.500 dosje terroristësh, por nuk kishte marrë përgjigje për asnjë prej tyre.
“Gjermania po ndihmon terroristët. Ne i kemi dhënë Kancelares Merkel 4.500 dosje, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje për asnjë prej tyre. Por, kur një terrorist arrestohet këtu, ata na thonë ‘na e dorëzoni neve’. Ju nuk i sillni terroristët që keni te ne, por na kërkoni tuajt. Pra ju keni drejtësi, ne në Turqi jo”, tha Recep Tayyip Erdogan.
Marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Turqisë janë përkeqësuar muajt e fundit, pasi Merkel vuri në pikëpyetje angazhimin e Turqisë ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit, ndërsa Erdogan tha se e shkuara naziste e Gjermanisë mund të mos jetë hedhur plotësisht pas shpine.
Berlini, deri më tani ka refuzuar të ekstradojë ushtarë dhe civilë, që Ankaraja i akuzon si pjesëmarrës në grushtin e dështuar të shtetit vitin e kaluar. Një muaj më parë Turqia arrestoi një grup aktivistësh, përfshirë një shtetas gjerman, në një raprezalje që është dënuar ashpërsisht nga shoqëria civile.
Pas grushtit të dështuar të shtetit, Erdogan ka forcuar pushtetin e tij, ndërkohë që ka goditur me mijëra vetë që i konsideron mbështetës të klerikut në azil, Fethullah Gulen, që ai e akuzon si arkitekt të përpjekjeve për ta rrëzuar atë nga pushteti.
Diskutime rreth kësaj post