Nga Ilir Yzeiri
Kam vënë re se në gusht apo edhe në korrik mediat pushtohen nga debatet me motive historike. Ndoshta gabohem, po kam përshtypjen se, ne, shqiptarët e Shqipërisë, sidomos, jemi kampionët e debateve me natyrë autodestruktive dhe asgjësuese. Në qoftë se në qytetërime të tjera miti dekonstruktohet, te ne është bërë zakon që miti të asgjësohet. Mirëpo ajo që bën përshtypje më shumë, është rimarrja e temave që lidhen me identitetin shqiptar të miteve. Skënderbeu, fjala vjen, duke qenë miti dhe historia më madhështore jo vetëm e shqiptarëve, por edhe e botës së krishterë, është bërë një objekt demistifikimi « par exellence » në këta vjet tranzicioni në Shqipëri dhe për disa shqiptarë të kthyer në myslimanë fundamentalistë, ai është asgjësuar.
Dihet se çdo komunitet që dallohet nga të tjerët si komb më vete, i organizuar në një shtet apo i gjendur në disa shtete, e organizon jetën duke komunikuar me të trija përmasat – të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Në rrymë të kohës pesha e së shkuarës mbi të tashmen ka ndryshuar dhe sidomos shoqëritë e qytetëruara kanë bërë më shumë që të çlirohen nga pesha e së shkuarës dhe ta projektojnë të ardhmen duke e vështruar të shkuarën si një muzeum që të jep kënaqësi duke e vështruar, ashtu siç të jep kënaqësi një pikturë apo një vepër tjetër arti. Për këtë arsye Franca, Italia Austria dhe vende të tjera perëndimore janë kthyer më së shumti në muezeume të hapura dhe e përdorin të shkuarën e tyre si ekspozitë. Jo thjesht kurioziteti estetik, por edhe dëshira për të zbuluar dhe për të parë anë të panjohura të së shkuarës, i nxisin studiuesit, qendrat kërkimore, universitetet që ta vështrojnë të shkuarën si një mundësi për të parë se njeriu në thelb është po ai, një mister dhe një enigmë që është vështirë ta identifikosh.
Mirëpo, kombe të vegjël, popuj që sapo kanë dalë nga historitë tragjike të shtetformimeve dhe vendet e Ballkanit sidomos, e përdorin ende historinë si një motiv të jetës në të tashmen dhe si një shtysë për të ardhmen. Në Ballkan sidomos dhe sa u takon shqiptarëve veçanërisht, dy mite të së shkuarës përcaktojnë në një pjesë të madhe sjelljen e këtyre shteteve me njëri-tjetrin. Miti i Kosovës për serbët dhe miti i Epirit të Veriut për grekët përcaktojnë sjelljen e këtyre dy etnive ndaj shqiptarëve. Po shqiptarët vetë çfarë miti kanë ? Asnjë mit subversiv. Studiuesit tanë kanë theksuar se Shqipëria ka qenë më shumë një vatër restriksioni sesa ekspansioni. Pra, historikisht, dihet që ne jemi rrudhur, nuk jemi zgjeruar në kurriz të të tjerëve siç kanë vërë malazezët, serbët apo grekët me ne. Pvarësisht të gjitha këtyre, shqiptarët nuk kanë nisur asnjë konflikt në Ballkan, nuk kanë qenë asnjëherë shkaktarë gjakderdhjesh për popujt e tjerë. Përkundrazi, fqinjët tanë serbët dhe grekët kanë rekorde genocidiste në kurriz të shqiptarëve. Ironia më e madhe është se nëse ti si shqiptar serioz i përmend këto të vërteta që kanë datë, emra të vrarësh, vende të spastruara etnikisht si rajoni çam, ti quhesh i vjetëruar, i dalë mode dhe i dalë boje. Ironia nuk mbaron këtu. Këtë cilësim ta bëjnë shqiptarët e tu, ata që në emër të nuk e di se të cilës modë parapëlqejnë të elaborojnë tezat e fqinjëve tanë (që vetëm miq nuk kanë qenë në historinë me ne) se Skënderbeu është një mit i rremë, se Fishta e ka tepruar me sllavët, se çamët e kanë pasur fajin vetë, se ne shqiptarët nuk dimë të bëjmë shtet, se ne shqiptarët ishim turq dhe i shërbyem Turqisë ndaj edhe Fuqitë e Mëdha të kohës na copëtuan.
Në fakt historia është krejt ndryshe. Fishta është dhe do të mbetet poeti më i madh shqiptar dhe « Lahuta e Malcis » do të mbetet kryevepra e letërsisë shqiptare. Por Fishta është poeti shqiptar më fatkeq, sepse këtë debat që bëhet sot për të, për fat të keq, e patën bërë elitat komuniste në vitin 1947. Ato elita e hodhën poshte « Lahutën » e tij sepse e quajtën shoviniste për shkak se këndonte luftërat e shqiptarëve kundër sllavëve që në atë kohë ishin miqtë tanë dhe bashkë me Konicën i quajtën agjentë të imperializmit austro-hungarez e italian. E përjashtuan veprën e tij nga qarkullimi letrar dhe e deformuan historinë e Shqipërisë. Unë po e studioj këtë periudhë, pra instalimin e realizmit socialist në Shqipëri dhe pas botimit të librit të parë « Semiopragmatika e realizmit socialist » (Tiranë 2013, Onufri), po përfundoj vëllimin e dytë që e kam titulluar « Fenomenologjia e realizmit socialist » të cilin kam shpresë ta botoj brenda këtij viti dhe kam krijuar bindjen se një pjesë e debatit që bëhet sot për identitetin kulturor e historik të shqiptarëve është një frymëzim neosocrealist. Periudha nga viti 1944 deri në vitin 1952 kur u instalua krejtësisht realizmi socialist si mënyrë të menduari dhe si model i kopjuar nga Bashkimi Sovjetik, është periudha që ka lënë gjurmë të thella në formimin e shqiptarëve, shenjat e të cilave duken edhe sot. Ja një tipar. Karakteristikë e mendimit socrealist është ndalimi i kohës, revizionimi i traditës dhe rindërtimi i një hierarkie vlerash që përcaktohet jo nga raporti që kanë pasur autorët apo veprat me kohën kur janë shkruar, por nga raporti që ato kanë me vlerat komuniste të shpallura si kampione të përparimit prej tyre. Në këtë kuptim, kur elitat komuniste shkruan tekstin e historisë së letërsisë shqiptare, e deformuan atë në mënyrë kriminale e tragjike. Tradita e Rilindjes Shqiptare nis me Faik Konicën dhe me revistën e tij “Albania” e cila u bë tribunë e letërsisë së qarkut katolik të Veriut. Siç dihet shqiptarët monumentin më të madh të kryengritjes kundër zgjedhës otomane kanë “Lidhjen e Prizrenit” e cila u sabotua, u shtyp dhe nuk i arriti qëllimet. Nëse mund të flasim për lëvizje kombëtare dhe për Rilindje, historia duhet të nisë me Konicën e Fishtën. Jo. Elitat komuniste i përjshtuan Konicën dhe Fishtën dhe ndërtuan një hierarki tjetër që nis me Naimin, poetin e madh shqiptar. Mirëpo Fishta është jo vetëm poeti më i madh shqiptar, por është edhe i vetmi poet që ka shkruar një monument të jashtëzakonshëm të luftërave kombëtare. Shqiptarët nuk u ngritën kundër turqve me armë dhe nuk u çliruan prej tyre më kryengritje të armatosur siç bënë fjala vjen grekët dhe arvanitasit. Shqiptarët dhe malësorët e Veriut u ngritën atëhere kur u copëtuan trojet e tyre dhe kur Mali i Zi mori Plavën e Gucinë me dinakërinë e turqve dhe me diplomacinë antishqiptare të Perëndimit dhe kur Serbia aneksoi Kosovën. Ato luftëra epike dhe gjithë historinë e koklavitur të shqiptarëve të Veriut e tregon Fishta në Lahutën e tij. E përse qenka Fishta shovinist edhe sot e malazezët qenkan europianë?! Natyrisht kohët kanë ndryshuar dhe askush nuk kërkon ndryshim kufijsh, por ama askush nuk mund ta shuajë memorien historike. Ne sot jemi fqinj dhe kemi marrëdhënie shumë të mira me Malin e Zi, por kemi nevojë që ta tregojmë të shkuarën tonë. Por ta tregojmë duke e pranuar atë dhe duke e paraqitur si një vlerë muzeale, duke u distancuar prej saj në kuptimin e frymëzimit për të ardhmen. Këngët e mrekullueshme të « Lahutës » mund të recitohen edhe në manifestime kulturore të përbashëkta me malazezët për të treguar se ne e kemi mbyllur atë epokë dhe me të shkuarën argëtohemi, krenohemi dhe ruajmë respektin më të madh për të. Mirëpo kjo gjë nuk ndodh sepse, ashtu siç ndodhte në kohën e socrealizmit, ne e përdorim të shkuarën me ngarkesën ideologjike të së tashmes ose vijojmë debate për ngjarje që asgjësojnë mitet dhe jo që i modifikojnë ato ose që i paraqitin nga pikëpamja e këndeve të tjera të vlerësimit.
Nëse do të merresha një ditë me Skënderbeun do të më pëlqente të hulumtoja ose të rindërtoja edhe njëherë ngjarjen sa tragjike aq edhe jo që ndodhi në dasmën e Mamicës kur Lekë Dukagjini dhe Lekë Zaharia u përleshën keq për shkak të Elenës, princeshës së bukur të Zadrimës. Siç tregon kronika, që të dy princërit ishin të dashuruar marrëzisht me të, por ajo kishte më shumë tërheqje për Zaharinë, princin e Drishtit dhe në dasmën e Mamicës, motrës së Skënderbuet, besnikët e Dukagjinit dhe ata të Zaharisë rrinin të ngrefosur ndaj njëri-tjterit për shkak të këtij zjarri që digjte zotërit e tyre. Mjaftoi një shkëndijë e vogël dhe zjarri u ndez. Mes dy princërve dhe ushtarëve të tyre nisi një betejë e ashpër që përfundoi me shumë të vrarë. Pra, një femër e bukur, Elena, dashuria në mes dhe pastaj shpatat, zemërimi. Ka në këtë histori të vërtetë edhe diçka nga antikitetit edhe diçka nga koha jonë. Shqiptarët historikë janë të mrekullueshëm po të studiohen jo vetëm si heronj, por edhe si dashnorë të marrë.
Diskutime rreth kësaj post