Pajisja me sistem detektues dhe autobllokues të furnizimit me gaz, sipas ekspertëve është masa urgjente që duhet të marrin restorantet, baret, por dhe konsumatorët familjarë për të parandaluar rrezikun nga gazi i lëngshëm.
“Çdo biznes duhet të ketë edhe një dedektor alarmues, që në rastin e rrjedhjes së gazit në ambientet ku përdoret, të jepet alarmi dhe punonjësit të vihen menjëherë në lëvizje për marrjen e masave të sigurisë”, tha Nako Petro, inxhinier në ISHTI.
Ekspertët e Inspektoriatit Shtetëror Teknik përsërisin edhe një herë apelin se çdo pajisje duhet të jetë e certifikuar.
Për mungesë të certifikimit dhe masave të sigurisë, 50% e operatorëve ekonomikë të kontrolluar nga Inspektoriati në zonat turistike janë gjobitur. Masa e gjobës varion nga 50 mijë deri në 500 mijë lekë.
Por, pas ngjarjes tragjike të Velipojës, Inspektoriati thotë se ka intensifikuar numrin e kontrolleve në terren dhe paralajmëron masa drastike.
“Grupet në terren janë shtuar. Ne jemi të vendosur të zbatojmë masat e sigurisë deri në heqjen e licencës”, tha më tej Nako Petro.
Diskutime rreth kësaj post