31 persona janë riatdhesuar ditën e sotme, pas refuzimit të kërkesës së tyre për azil nga Franca dhe Belgjika.
Të gjithë të riatdhesuarit janë sjellë në Shqipëri pasi ndaj tyre ekzistonte një vendim që i detyronte të largoheshin nga territori francez dhe ai belg.
Drejtoresha e Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, Aida Hajnaj, e cila ishte në Rinas, ka deklaruar se shanset e shtetasve shqiptarë për të përfituar azil politik ose ekonomik në vendet e Bashkimit Evropian jaën zero.
“Të gjitha shtetet në vendet e Bashkimit Evropian në mënyrë të prerë refuzojnë kërkesat e shtetasve shqiptarë për azil. Asnjë kërkesë qoftë politike apo ekonomike nuk pranohet. Shanset për t’i fituar këto janë zero”, është shprehur Hajnaj.
“Policia e Shtetit shqiptar ka marrë të gjitha masat në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar për të forcuar, mbikëqyrur dhe parandaluar tentativat për azil duke vënë përpara ligjit shkelësit”, shtoi Hajnaj.
Në operacionin e riatdhesimit të 31 shqiptarëve, morën pjesë Franca si vend organizator, Belgjika si vend përfitues dhe Policia shqiptare si mbështetëse, me financim të agjencisë FRONTEX.
Diskutime rreth kësaj post