Një nga sasitë më të mëdha të heroinës te sekuestruara ndonjëherë në rajonin Galicia të Spanjës u shënua vitin e shkuar në qytezën Tui, jo larg kufirit me Portugalinë.
Rreth 54 kg heroinë, vlera e së cilës llogaritet 2.4 milion euro, u gjetën të fshehura në një “Porsche Cayenne”. Pas hetimeve, rasti tani është në gjykatë. Prokurori i provincës Pontevedra, Pablo Varela ka tashmë gati pretencën, në të cilën kërkon për 6 të akuzuarit një dënim me 78 vite e 9 muaj burg, përveç gjobave miliona euro.
Është edhe një i akuzuar i shtatë, Nikolin Ja., i cilësuar kreu i degës shqiptare i kësaj organizate të dyshuar kriminale, për të cilin nuk është dhënë ende pretenca.
Gjashtë të akuzuarit janë: dy shqiptarë, Rinush G. dhe Sokol R. dhe katër anëtarë të dyshuar të degës së Galicisë. Castor Manuel GG., i cilësuar nga hetuesit si kapo i degës spanjolle, i dënuar më parë për trafik droge. Bashkëshortja e tij María del Carmen CD., e cila ishte dhe krahu i djathtë i Castor Manuel GG., si dhe dy burra të tjerë të akuzuar si ‘hallkat e fundit’ të grupit: José RR, i dënuar më herët për trafik droge dhe Marcos Antonio GB..
Shqiptari Rinush G., sipas prokurorisë, ishte ai që bëri transportin me makinë të drogës nga qendra e Evropës në Galicia, raportojnë mediat spanjolle.
Operacioni policor që do ti çonte në pranga anëtarët e grupit nisi në vitin 2016.
Më 24 shkurt, Rinushi u nis me një “Porsche Cayenne” nga Barcelona në Gjermani dhe në 18 Mars, nga ky shtet për në Holandë për të siguruar heroinën.
Sasinë e drogës, sipas hetimeve të prokurorisë, shqiptari do t’ia dorëzonte spanjollit Castor Manuel GG. dhe bashkëshortes së këtij të fundit. Vendi i dorëzimit ishte pranë një hoteli në Tui (Spanjë) ku shqiptari arriti më 19 Mars.
Por, Policia spanjolle arriti të sekuestronte drogën e fshehur në automjet: 54 paketime me 53 kg e 771 gr heroinë në total.
Agjentët sekuestruan gjithashtu 43 celularë dhe 350.000 euro.
Diskutime rreth kësaj post