Për të lehtësuar qarkullimin e pushuesve ditorë që u drejtohen zonave bregdetare të Durrësit, por edhe të turistëve, në autostradën Tiranë-Durrës dhe rrugën Vorë-Rinas do të kufizohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë.
Policia njofton se këto mjete do të ndalohen nga ora 06:00 deri në orën 22:00. Jashtë këtij orari nuk ka kufizim qarkullimi.
Mjetet që duan të udhëtojnë brenda këtij orari nga Tirana drejt Durrësit dhe anasjelltas mund të përdorin rrugën e vjetër, atë nga Ndroqi, ndërsa për Rinasin atë nga Kamza.
Kufizimet e qarkullimit do të zgjasin deri në fund të sezonit veror.
Një masë e ngjashme është marrë edhe nga Policia e Lezhës, ku këtë fundjavë ka patur dyndje pushuesish, çka ka shkaktuar rëndim të trafikut në qytet dhe akset rrugore bregdetare.
Policia e këtij qarku ka bërë publike edhe akset ku do të kufizohet lëvizja e këtyre mjeteve deri më datë 30 shtator. Gjithashtu, policia apelon që ne rast të rëndimit të trafikut të përdoren edhe akset dytësore në zonë.
Përveç shtimit të prezencës dhe patrullimeve të punonjësve të policisë në zonën bregdetare dhe akseve rrugore që lidhin ato, policia e Lezhës ka vendosur kufizime në fundjavë, nga ora 9 deri në 14 ditën e shtunë dhe nga ora 12 deri në mesnatë ditën e djele të mjeteve të renda të transportit.
Masa përfshin ato mjete mbi 12 metra të gjata, me peshë 7.500 kilogramë dhe të larta, mjetet bujqësore që kanë shpejtësi më të vogël se 40 km/h si dhe mjetet mësimore.
Diskutime rreth kësaj post