Nga Sokol Balla
Zgjedhjet e 25 qershorit sollën një tërmet të vërtetë në politikë. Për herë të parë ndoshta që nga 22 marsit i largët i vitit 1992, kur vullkani popullor rrëzoi komunizmin zyrtarisht dhe ia dha timonin Partisë Demokratike, tashmë sërish një parti e vetme ka drejtimin e punëve të shtetit, me një shumicë komode që i lejon asaj reforma të mëdha. Këto zgjedhje kanë një fitues të qartë Edi Ramën, një humbës të qartë Lulzim Bashën, dhe një fitues të panevojshëm: Ilir Metën. Në një vështrim të parë duket se për katër vjet nuk do të ketë më asnjë shans për askënd tjetër. Se Edi Rama me timon në dorë e dylbi në brez, do na prijë si rilindës i vërtetë nga fitorja në fitore, por ndryshe nga shumë unë mendoj se 25 qershori në fakt, ka krijuar potencial për të gjithë aktorët politikë që të kenë një rrugëtim të ri.
Në radhë të parë, 25 qershori mund të ketë krijuar një shans real për Lulzim Bashën që të merret 100 për qind me politikë. Tani ai do të jetë në Kuvend dhe sido që të dalë gara e brendshme në 22 korrik, ai dhe mbështetësit e tij do të jenë një faktor i rëndësishëm në Kuvend. Kjo, sidomos lidhur me faktin që ai ka një marrëveshje në fuqi me Edi Ramën, me të cilin ende nuk ka deklaruar formalisht se do të jetë në opozitë. Edi Rama dukshëm është në favor të Bashës në krye të PD, pasi qoftë Selami, qoftë mbështetësit e Patozit (ashtu si edhe shumë nga ish mbështetësit e Bashës në fakt), janë ose kundër, ose së paku skeptikë për vijueshmërinë e kësaj marrëveshjeje. Por Lulzim Basha mund të ketë shansin historik për të treguar se di t’i bëjë të dyja: Edhe kreun e opozitës edhe njeriun e reformave. Kjo pasi të ketë kaluar sigurisht garën e 22 korrikut.
Garë e cila është një shans për Eduard Selamin. Ish kryetari i përzënë nga Berisha 22 vjet më parë, i lënë nga Basha jashtë liste për deputet 52 ditë më parë, tani do të tregojë vlerat e tij, dhe sesa të përputhshme janë ato me të Partisë Demokratike. Për këtë e ndihmon rezultati i 25 qershorit dhe 200 mijë demokratët që refuzuan republikën e re. Por për këtë i duhet që t’i gjejë ata në lista, të cilat për momentin janë në zyrën e ngrirë kallkan të Bashës. Selami ama mund ta kthejë këtë garë në një shans real, ashtu si PD ktheu në një shans real garën e pamundur me Partinë e Punës në vitin 1991, tre muaj pas dhjetorit të studentëve. Për këtë Selamit ama, i duhet të kalojë mbi Sali Berishën, i cili e ka bërë të qartë se me kë është: Me humbësin Basha.
Në fakt 25 qershori duhet të kishte prodhuar një shans real edhe për Sali Berishën. Zgjedhja e tij për pasuesin në fronin blu rezultoi jo aq e gabuar në lidhje me personin, pra Bashën, por mënyrën sesi ai e trajtoi dhe e trajton në publik e në privat. Ka thënë se mungesa e Bashës në kuvend e detyroi të merrte një rol aktiv. Por tashmë ky argument bie dhe pas rizgjedhjes së Lulit në krye të PD, Berisha ka një shans që të mbyllë gojën, të rrijë fillimisht në heshtje, pastaj në hije, dhe pastaj të largohet tërësisht, për të mos dëmtuar “beyond repair”, një parti që mund të jetë e tij, po ku aksione kemi të gjithë. Doktori ka shansin e jetës që të lërë të gjithë rehat, përfshirë edhe partinë e tij. Aq më tepër që më Gramoz Ruçin në vend të Ilir Metës, të vetmin shans që nuk do të ketë, është që të uzurpojë foltoren e kuvendit me orë të tëra.
25 qershori prodhoi edhe një shans për LSI. Me Ilir Metën furtunë e suferinë në fushatë, ajo mori mandate më shumë se kurrë, por shifrat tregojnë se ajo ka filluar të tkurret ndërsa historia elektorale se kur e vënë në mes të dy të mëdhenjtë ajo hyn në ujë. Por tani LSI këto dy vjet ka shans të tregojë se di si të sillet jo si opozitë, por si oponencë serioze, jashtë tepsisë. Ndoshta deri në zgjedhjet lokale, ndasitë do kenë ikur, dhe pajtimi mes të majtës mund të ketë sërish një shans tjetër. Monika Kryemadhi ka kështu edhe ajo një shans, që të nxjerrë perceptimin e saj jashtë “House of Cards” dhe të tregojë se mes Presidencës dhe sheshit “Uilson” ajo di të ecë shpejt dhe manovrojë shkathët, pa shkelur semaforët dhe vijat e bardha. Petrit Vasili ka edhe ai një shans: që tani të çlodhet, pas një muaji që e futi dhe e nxori shpejt nga zyra e kryetarit dhe të kuptojë realitetin e ri: Atë të të qenit sërish forcë e tretë dhe për më keq në opozitë.
25 qershori është dhe një shans për Ilir Metën që të reflektojë për fushatën e paprecedentë që bëri, e që shkaktoi ngritje vetullash e habi, nga Skrapari ku nuk është më forcë e parë, e deri në Shkodër ku partia e tij është tashmë forcë e katërt. Fushatat e PS dhe PD ishin modern në thelb. LSI tentoi tingujt thriller dhe thirrjet pasionante, gjuhën e forcës dhe të numrave në sheshe por shqiptarët i treguan atij se kjo formë ishte e vjetëruar dhe se Shqipëria ka ndryshuar e është modernizuar. Iliri nuk ka asnjë ngushëllim për 25 qershorin: Rezultati që arriti është historik, por zyrtarisht ai do t’i njihet Petrit Vasilit.
Tashmë Metës i duhet dhënë një shans që ta bëjë Presidentin zyrtarisht, pasi e bëri këtë punë jo keq katër vitet e fundit, një funksion që Nishani e pati objektivisht dhe subjektivisht të pamundur. Mallkimi që ka ajo zyrë në raportet me kryeministrin ka dhënë shenja që do të vazhdojë, por le t’i japim një shans këtij presidenti të paprecedentë, bashkëshortja e të cilit do jetë drejtuese e Opozitës.
25 qershori në fund prodhoi disa shanse për Edi Ramën. Duke nisur nga Kavaja: Ai rezultat besoj i jep atij shansin të ndahet nga të fortët, edhe nga ata që bëjnë punë, por me kosto tepër të larta publike. Duke vazhduar tek Shkodra, e cila më shumë I beson fjalës së Tom Doshit sesa bukurosheve që bënë fushatën e socialistëve, në kështjellën blu të Teutës dhe Jozefinës. Për të zbritur në Tiranë, ku përplasja e heshtur Veliaj Tahiri, ka lënë ende në fije të perit mandatit e 18-të, i cili duhet të ishte i garantuar dhe i tejkaluar. Për të vazhduar më pas në jug, ku hiq Vlorën, Durrësin dhe Fierin, qarqet e tjera fituan më shumë nga bojkoti i demokratëve. Një shans që zor se do përsëritet më katër vite më pas.
Sigurisht shansi më i madh për Edi Ramën është që ai të shfrytëzojë pozitivisht populizmin e tij të suksesshëm në 25 qershor. Që flamujt kuqezi dhe thirrjet për Shqipërinë, të vërtetohen reale. Që ky vend të fillojë të mbajë era shtet, perëndim dhe higjienë, një vend ku çdo gjë ka një fillim dhe një mbarim. Edi Rama, njeriu që pikturonte rrugëve të Parisit për bukën e gojës e që sot uzurpon në mënyrë arrogante galeritë italiane falë më shumë suksesit të tij politik, tani I duhet të ushtrojë talentin e munguar të penelatave për të skicuar një Shqipëri më të mirë, më normale, më të qetë, më perëndimore, ku njerëzit nuk duan të ikin, nuk duan më të mbjellin hashash, nuk duan më të paguajnë bakshishe, dhe për më tepër nuk duan të shohin më me sy, çka vuajtën këto 25 vjet. 25 qershori ishte shansi që Edi Rama kërkoi. Timonin. Tani ta gëzojë. Por mos hapë më sytë të gjejë fajtorë e përgjegjës, gjithmonë larg karriges së vet. Ai thotë se nuk di ti japë makinës, por se di të drejtojë Shqipërinë në drejtimin e duhur.
Shumë vetë nuk e besojnë këtë, por në 25 qershor vendosën gjithsesi ta votojnë. Jo thjesht një shans për të, por për një shans për të gjithë.
25 qershori do mbahet mend edhe për këtë. Sesi LSI krijoi parullën më të goditur politike të fushatës, e cila funksionoi. Po për Edi Ramën.
Diskutime rreth kësaj post