Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë ka nisur zbatimin e vetingut.
Me ngritjen e dy organeve të vetingut: Kolegjit të Apelimit dhe Komisionit të Kualifikimit, ILDKP ka hapur dosjet e pasurisë për gjyqtarët dhe prokurorët. Sipas burimeve, puna ka nisur me krerët e institucioneve, ku më kryesori është kryeprokurori Adriatik Llalla. ILDKP ka nisur procesin e verifikimit për të gjithë krerët e gjykatave dhe prokurorive, mes të cilëve është dhe kryeprokurori.
Në ligj është e përcaktuar se puna nis me ta dhe ILDKP po ecën sipas planit, pasi sapo të ngrihet Komisioni i Kualifikimit, dosjet që do dorëzohen të parat do jenë për: Adriatik Llallën, Xhezair Zaganjorin dhe Bashkim Dedjen. Sa i takon Llallës, mësohet se për të po ushtrohen verifikime shumë të forta. Nga burimet e gazetës mësohet se Llalla ka deklaruar 6 llogari bankare bashkë me gruan e tij. Njëra prej tyre ka 140 mijë euro, ndërsa tre të tjerat me 15 milionë lekë, 16 milionë lekë dhe 19 milionë lekë. Sipas burimeve, për të 6 llogaritë po bëhen verifikime në banka, ndërsa në lëvizje pritet të vihet dhe Drejtoria e Pastrimit të Parave për të parë nëse ka pasur parregullsi apo transferta të dyshimta. Llalla ka deklaruar dhe një borxh por që ka deklaruar se të dhënat janë sekrete.
Për këtë arsye edhe kjo transfertë po verifikohet. Sipas informacioneve, në sitë do kalojnë dhe dy banesa të Adriatik Llallës, përfshirë banesën e tij dhe të prindërve dhe familjarëve të tjerë, ku secila do verifikohet nga vlera. Por ajo që pritet t’u hajë më shumë kohë ekspertëve është shitja e një trualli. Llalla në qershor 2016 ka shitur në Bathore një truall me vlerë 249 mijë euro. Në deklaratë, ai ka thënë se është ullishte. ILDKP po bën të gjitha verifikimet e nevojshme për të parë nëse vërtet ky truall ka këtë vlerë dhe për të parë se kush e ka blerë dhe nëse pagesa është bërë e gjitha njëherësh apo me këste. Në lëvizje këtu do vihet dhe Hipoteka.
Krerët e tjerë
Paralelisht me Llallën në sitë po kalojnë dhe kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori dhe ai i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Sa i takon Zaganjorit, ai ka deklaruar një pasuri shumë të lartë dhe ILDKP pritet që të marrë shumë kohë me të. Zaganjori ka deklaruar shumë llogari bankare dhe prona e për këtë arsye të gjitha do verifikohen në terren. Ndërkohë, Dedja ka deklaruar një pasuri më të ulët dhe për të kontrolli pritet që të jetë më i lehtë. Por paralelisht me ILDKP, verifikime do kryhen dhe nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, sa i takon pastërtisë së figurës.
Për të gjithë do kontrollohet nëse kanë pasur apo jo lidhje me njerëz me rekorde kriminale. Ndërkohë në fund do ketë verifikime nëse gjyqtarët dhe prokurorët e kanë kryer si duhet punën dhe kanë formim të mjaftueshëm, duke kontrolluar vendimet dhe procesverbalet. Në fund, secili institucion do i dërgojë Komisionit të Kualifikimit një raport për secilin emër. Interesant është fakti se për ta do bëhet një përllogaritje e vlerës së pasurisë dhe ajo do shihet nëse u korrespondon të ardhurve gjatë këtyre viteve. Nëse dikush ka më shumë pasuri se shuma e të gjithë të ardhurve familjare, atëherë gjyqtari apo prokurori largohet. ONM pritet të angazhojë ekspertët e saj që të bëjnë verifikime edhe jashtë shtetit.
Diskutime rreth kësaj post