Gjatë 24 orëve të fundit mbi vendin tonë ka mbizotëruar mot i nxehtë me kthjellime dhe vranësira në pjesën qendrore. E vetmja vatër zjarri e konstatuar ishte në Çorovodë, ku pati dëme në një pyll me pisha.
Sipas njoftimit të Emergjencave Civile, mësohet se në fshatin Bogovë, ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi vendor i MZSH Skrapar shkoi në vendngjarje dhe punoi me mjete rrethanore për shuarjen e zjarrit për shkak të terrenit të thyer malor. Në ndihmë për shuarjen e zjarrit shkuan dhe banorë të zonës. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 0.3 ha me shkurre dhe pisha.
Nga qarqet e vendit nuk raportohen probleme për shkak të kushteve të motit.
Emergjencat Civile ftojnë qytetarët që nëse konstatojnë zjarre të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129, apo 0694110198, pasi ndërhyrja në kohë shmang pasojat e rënda.
Gjatë ditës së sotme temperaturat do të zbresin, duke ulur mundësitë e përhapjes së vatrave të zjarrit: në vendet malore: temperaturat minimale 14°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 25°C. Në vendet e ulëta: temperaturat minimale 17°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 30°C. Në bregdet: temperaturat minimale 19°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 29°C.
Diskutime rreth kësaj post