Nga Spartak Ngjela
Vala antikorrupsion mbërriti në Shkup: Prokuroria Speciale e Maqedonisë nxorri dje mandatin e arrestit për ish kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevski.
l.
Erdhi shumë afër nesh goditja e krimit shtetëror. Ballkani Perëndimor hyri më në fund në fushën magnetike të antikorrupsionit.
Kjo fushë, pasi la Zagrebin, tani pushtoi Shkupin. Por kanë filluar ndërkaq edhe tronditjet në derën mesjetare të korrupsionit shqiptar. Kjo fushë magnetike po hyn edhe në Tiranë, sepse është e njëjta reformë dhe e njëjta forcë perëndimore që po e drejton këtë edhe në Shqipëri.
Është shumë më mirë për korrupsioni e lartë shqiptar, të dorëzohet butë dhe t’i lërë mënjanë shpresat e kota fëminore për bllokim të Reformës antikorrupsion, sepse është i njëjti përfundim: njëlloj si Gruevski.
ll.
Kur do të fillojë punë prokuroria dhe gjykata speciale në Tiranë? Ja, kjo është çështja e ditës, por duhet thënë se tanimë këto nuk kanë më asnjë pengesë. Kjo prokurori speciale dhe kjo gjykatë speciale, nuk është kërkesa jonë: kjo është një kërkësë që vjen nga Bashkimi Europian si kusht për anëtarësimin e Shqipërisë aty, dhe është vendosur tanimë në kushtetutën shqiptare me forcën e politikës amerikane dhe europiano-perëndimore.
Maqedonia e filloi këtë proces në fund të vitit 2015
Shqipëria e filloi në mes të vitit 2016.
Gruevski kërkoi të bënte grusht shteti të veshur me revoltë popullore në prill të këtij viti në Shkup.
Sali Berisha kërkoi të njëjtën gje në maj të këtij viti në Tiranë.
Që të dy janë ish- kryeministra të goditur nga Reforma anti-korrupsion.
Do ta vuajnë akuzën për korrupsion që të dy njëlloj. Por Gruevski ka dhe krijimin e trazirave antikushtetuese për grusht shteti. Kurse Berisha nuk e arriti dot tentativën për destabilizimin e Shqipërisë..
Goditja penale e korrupsionit në rangjet e larta shumë shpejt fillon dhe në Tiranë.
lll.
Ky është kushti kryesor për anëtarësimin në Bashkimin Europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe sidomos për Shqipërinë, prandaj do të përmbushet shumë shpejt.
Eliminimi drastik i Gruevskit sigurisht që është goditja e parë që merr përbetimi tri-palësh i korrupsionit shtetëror: Beograd, Shkup, Tiranë.
Por më i pisti është korrupsioni shtetëror shqiptar i esadistëve antishqiptarë, sepse ky korrupsion ka dashur të mbijetojë në funksion të shitjes së interesit kombëtar shqiptar. Një të tillë akt nuk e gjen as në Beograd dhe as në Shkup, por vetëm në Tiranë.
Kjo është arsyeja që, me eliminimin tërësor të korrupsionit shqiptar, do të eliminohet nga historia shqiptare një ligësi njerëzorë njëqind vjeçare.
Erdhi koha që çdo shqiptar duhet të fillojë të mendojë realisht për krijimin e të ardhmes së vet në atdheun e vet, sepse pengesa e ligë antishqiptare që ka qenë në Shqipëri dhe jashtë saj, te fqinjët, kundër ekzistencës së shqiptarëve, po hyn në procesin e shkallmimit të vet.
Për Shqipërinë dhe për shqiptarët kanë filluar të trokasin goditjet e fatit.
Diskutime rreth kësaj post