Fillimi i korrikut ka shënuar edhe fluksin më të lartë të kësaj vere në pikën kufitare të Morinës dhe rrugën e Kombit.
Të dhënat e policisë kufitare tregojnë se në 24 orët e fundit mbi 15 mijë qytetarë nga Kosova kanë hyrë në vendin tonë me destinacion bredgetin, për të kaluar pushimet verore.
Policia kufitare ka ngritur traun duke zbatuar proçedurën e përshpejtuar me 6 sportele, për të shmangur radhët e gjata. Sipas policisë kufitare, fluksi ka nisur që të premten në mbrëmje, ndërsa të shtunën ai është shtuar pas orës 2 pas mesnate.
Preferencat mbeten Velipoja e Shëngjini. Agjencitë turistike kosovare bëjnë të ditur se kanë kërkesa të shumta për prenotime për plazhet shqiptare.
Ndërkohë, sot ka hyrë në fuqi edhe patrullimi i përbashkët i dy policive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë në rrugën e Kombit.
Patrullimi i përbashkët realizohet referuar bashkëpunimit të vazhdueshëm mes dy policive, bazuar edhe në memorandumin e firmosur nga autoritetet e dy shteteve për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor në Shqipëri gjatë sezonit veror.
Diskutime rreth kësaj post