Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn vizitoi Maqedoninë, ku u informua nga autoritetet maqedonase për pikat e planit për planifikimit e reformave urgjente, i cili është ende në fazë përpunimi.
I ashtuquajturi “udhërrëfyes” për reformat do të konkretizohet në bashkëpunim me grupin e ekspertëve europianë të udhëhequr nga Rejnhard Pribe, nga dita e martë e deri më 1 korrik.
Hahn u prit nga kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, i cili sqaroi se përpjekjet po bëhen në mënyrë që Maqedonia të marrë rekomandim të pakushtëzuar për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.
Përmbajtja e udhërrëfyesit nuk u detajua për mediet, por sipas Zaev bëhet fjalë për reforma të parashikuara në fusha kyçe, si sundimi i së drejtës, institucione profesionale shtetërore, trupa të pavarura rregullatore dhe media të lira.
I pyetur nga mediet për projektligjin për përdorimin e gjuhëve, e konkretisht për avancimin e përdorimit të shqipes, kryeministri Zaev konfirmoi se ai do të jetë mes prioriteteve, por pa saktësuar sesa kohë duhet pritur për miratimin i tij.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Hahn vlerësoi dinamikën e re në politikën maqedonase, që synon arritje konkrete për të mirën e qytetarëve. Hahn tha se të gjithë aktorët e përfshirë, pozita, opozita, gjyqësori dhe shoqëria civile duhet të punojnë për një shtet model dhe që funksionon në të mirë të qytetarëve të të gjitha etnive.
Komisioneri Hahn u takua gjithashtu edhe me krerët e forcave politike shqiptare, përktësisht Menduh Thaçin e PDSH-së dhe Ali Ahmetin e BDI-së, nga të cilët mori premtime për bashkëpunim për reformat e nevojshme. Një premtim të njëjtë, zyrtari i lartë europian mori edhe nga kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski, i cili premtoi mbështetje për proceset reformuese dhe integruese.
Diskutime rreth kësaj post