Për herë të parë të afërmit e një gruaje të vrarë nga bashkëshorti kërkojnë të dëmshpërblehen nga vrasësi për humbjen që ju ka shkaktuar atyre nga ky krim.
Vëllai i të ndjerës, Liljana Rukaj u paraqit në Gjykatën e Krimeve të Rënda sipas një padie civile të depozituar nga avokatët e tij dhe që i bashkangjitet procesit penal kundër të akuzuarit Ferdinant Rukaj. I vendosur të marrë drejtësi nga gjyqësori, Robert Zhezha nuk mundi ta shikojë dot përballë njeriun që i vrau të motrën, pasi ai mungoi në seancën e parë.
Kjo praktikë po tentohet të hapet nga Qendra për Nisma Ligjore Falas që përfaqëson gratë e dhunuara në gjykatë. Më herët, kjo qendër ka çelur në gjyqësor kazusin e dëmshpërblimit të viktimave të trafikut.
“që në momentin që kemi paraqitur padinë civile në procesin penal, ne kemi bërë një përllogaritje të dëmit që u është shkaktuar dy fëmijëve të mitur dhe trashëgimtarëve të të ndjerës. Kjo është edhe në varësi të gjykatës për të caktuar ekspertë për ta rivlerësuar këtë dëm. Dëmi që kemi vlerësuar ne është 5 milionë e 930 mijë lekë”, thotë Iris Aliaj, avokate.
Liljana Rukaj, për të cilën Gjykata e Fierit kishte vendosur urdhër mbrojtjeje nga bashkëshorti, u hodh prej tij nga dritarja e apartamentit ku jetonin. Çifti ishte kthyer pak javë para krimit nga Gjermania, ku dhe kishin kërkuar azil, ndërkohë që herët mes tyre kishin nisur mosmarrëveshjet për shkak se Ferdinant Rukaj refuzonte të punonte.
Diskutime rreth kësaj post