Portali grek i lajmeve ushtarake, “Militaire.gr” i ka kërkuar ndjesë publike ministres shqiptare të Mbrojtjes për lajmin e publikuar më parë, se ajo kishte punuar si balerinë në një klub nate të Athinës në fillim të viteve ‘90.
Gazetari Paris Karvunopulos, kryeredaktor i portalit ka pranuar gabimin duke deklaruar se bëhej fjalë për një lajm të pakonfirmuar, të pavërtetë e që ka shërbyer si sulm i ulët ndaj ministres Mimi Kodheli.
“Nga verifikimet e mëvonshme rezultoi se lajmi ishte i pakonfirmuar dhe tërësisht i pavërtetë. Madje, në periudhën së cilës i referohet lajmi zonja Kodheli nuk ka qenë fare në Greqi”, ka deklaruar Karvunopulos.
Ai ka shtuar se edhe të dhënat e publikuara në të njëjtin artikull se ministrja shqiptare ka qenë simpatizante e nazizmit është i pavërtetë dhe dëmton imazhin personal e institucional të ministres.
“Ndaj zotohemi se në të ardhmen do të verifikojmë dhe konfirmojmë çdo lajm dhe informacion që i referohet zonjës Kodheli. Pranojmë se lajmi i publikuar prej nesh ishte një koment politik, i cili u shfrytëzua në mënyrën më barbare nga një pjesë e caktuar e klasës politike dhe opinionit publik në Greqi, por edhe në Shqipëri”, thuhet në ndjesën e portalit.
Ndjesa e faqes greke vjen pasi ministrja ngriti padinë, por ky është rasti i parë që kërkohet ndjesë ndaj akuzave të pabaza në adresë të politikanëve shqiptarë, të cilët shpesh herë janë bërë objekt sulmesh dhe shpifjesh në shtypin dhe median greke.
Diskutime rreth kësaj post