Nga Drini Kuqo/
Si në një orkestër simfonike, ku veglat muzikore ndërthurren me radhë midis tyre, dje LSI u lëshua në një sulm frontal ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çakos.
I nisur nga Zonja e Parë, fjalët e liga kaluan më pas tek presidenti gojëprishur, e në fund edhe tek lideri kukull i LSI, Petriti.
Përballë kësaj spazme të “forcës së parë”, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, natyrshëm lind pyetja se çfarë interesash përligjin përbaltjen e Policisë së Shtetit në këtë moment?
Natyrshëm, të interesuarit numër një për të anatemuar forcat e rendit në këtë çast janë ata që synojnë të përfitojnë nga një dobësi e mundshme e saj, për të manipuluar rezultatin, përmes presioneve, premtimeve apo shitblejes së votës.
Së dyti, përbaltja e policisë i shërben edhe një qëllimi tjetër meskin, mosnjohjes së zgjedhjeve dhe krijimit të trazirave nëse nuk del rezultati i pritur nga kutitë e votimit. Ajo që po bën LSI është thurrja e një alibije, për të pasur kë të akuzojë në rastin e kalimit në opozitë
Së treti, të bën përshtypje edhe një tjetër fakt. Përse sulmet janë përqendruar vetëm ndaj drejtorit të Policisë, duke u lënë jashtë ministri i demokratëve? Në këtë fushatë, lidhjet midis LSI dhe PD kanë degraduar në nivelin e tyre më të ulët historik, e megjithatë, Demiri është lënë jashtë nga përbaltja e “forcës së parë”.
Arsyeja është vetëm një. Sulmi ndaj një zyrtari të PD nuk ka vlerë në sytë e Ilir Metës, pasi përtej optimizmit të shtirur, edhe LSI porosit sondazhe që tregojnë se me çdo gjasë, PS do të jetë në gjendje të formojë e vetme qeverinë. Ndaj, sulmi ndaj Demirajt do të ishte vetëm një shpërqëndrim vëmendje, nga taktika për të denoncuar PS si vjedhësen e zgjedhjeve, nëse policia do të pengojë LSI-në që të jetë ajo vetë që të vjedhë votat.
Për të gjitha këto arsye, një gjë është e sigurt. Sa më shumë kritika të marrë Policia e Shtetit nga LSI, aq më mirë janë duke bërë ata punën e tyre.
Diskutime rreth kësaj post