Nga Skënder Minxhozi
“Unë mund të dal në Avenjunë e Pestë dhe të vras një njeri tani, e sërish të mos më ndodhë asgjë. Të mos humb as vota, as përkrahje”, kështu shprehej gjatë fushatës së fundit elektorale në SHBA kandidati, e më vonë president i vendit, Donald Trump. E vërteta është që ai fitoi përkundër të gjitha parashikimeve, duke sfiduar më së shumti nocionin e të qenit “politikisht korrekt”.
Edi Rama në fushatën elektorale të 25 qershorit duket se po aplikon një variante të zbutur shqiptare të sjelljes së presidentit amerikan. Të zbutur dhe të përshtatur me indin shqiptar, sepse së pari ai nuk është një miliarder që vjen jashtë sistemit, si në rastin e Trumpit. Dhe së dyti, sepse doza e provokacionit të kandidatit republikan përputhej në mënyrë perfekte me imazhin që ai kishte kultivuar prej dekadash në shoqërinë amerikane.
Edi Rama nga ana e tij po eksperimenton një sjellje të re elektorale, e cila është shfaqja e parë e një formati të ri politik ku ai po e fut veten, e cila mesa duket qëndron pas sfondit të zgjedhjeve të 25 qershorit. Kur ai ftoi partitë e vogla të dilnin jashtë nga takimi i Kuvendit, natën e 17 majit, pakkush u mor me domethënien afatgjatë të atij gjesti, në funksion të autorit të tij. Ishte shumë i madh impakti i marrëveshjes me kreun e opozitës, për të hyrë në të tilla hollësi. Por në ditët dhe javët që kanë pasuar atë akt të madh ndryshimi në stilin politik të kryeministrit shqiptar, Edi Rama s’ka bërë gjë tjetër, veçse ka konfirmuar se ka vendosur të ndërrojë lëkurën e tij politike, duke bërë një kapërcim të madh mbi frikën, tabutë, aleatët, miqtë dhe armiqtë tradicionalë.
Nëse është e vërtetë se ky transformim gradual mund të zbërthehet më së shumti tek vendimi i madh për t’u ndarë nga Ilir Meta dhe LSI, është po kaq e vërtetë se një përcaktim i tillë do të ishte reduktiv dhe vetëm pjesërisht i saktë. Sepse Edi Rama i sotëm nuk është vetëm një denoncues i asaj që deri dje ishte “marrëdhënia strategjike” brenda të majtës, por është gjithaq edhe një kritik i ashpër i PDIU, partisë për të cilën ai ishte i gatshëm të ndryshojë kursin historik të marrëdhënieve me Greqinë fqinje. Por nuk mbaron këtu. Imazhi i ri që Edi Rama po farkëton nga njëri podium tek tjetri gjatë kësaj fushate, kalon përmes një pakti të madh mossulmimi me kundërshtarin kryesor: Partinë Demokratike. Që është ndoshta lëvizja më e fortë e tij politike qëkurse drejton Partinë Socialiste.
Duke nisur nga nata e 17 majit, Rama ka ribërë me shpatë në dorë brenda pak orëve, të gjitha marrëdhëniet që kishte me miq e kundërshtarë, me parti të mëdha e të vogla. Pasi hoqi nga listat edhe senatorët e fundit që kishin mbetur, ai futi de facto në qeveri PD, deklaroi aleancën prioritare me Bashën për të inicuar një fushatë të qetë dhe një listë reformash pas zgjedhjeve (përfshirë atë elektorale), dhe nisi më pas kryqëzatën nëpër qytetet e fshatrat e Shqipërisë, duke denoncuar të keqen e re që kishte zbuluar: partitë e vogla. Ky spostim i goditjes nga opozita e çadrës, tek aleatët e vjetër dhe të rinj në qeverisje, ishte alkimia e madhe elektorale e Edi Ramës, formati i ri ku ai kishte vendosur ta fuste veten dhe partinë që drejton. Ajo që pasoi ishte një fushatë e qetë zgjedhore, me mure të pastra qytetesh, plot batuta e pak përmbajtje dhe pa dhunë verbale.
Një rrethim thuajse total për kryeministrin, i cili vendosi të dalë prej llogores së tij duke shkelur me prepotencë mbi fushën e minuar me të cilën e kishin rrethuar. Akordi me Lulzim Bashën ka qenë kurorëzimi i një transformimi që tashmë është kryer i plotë. Njeriu që llogariste edhe hapin më të vogël nga meraku se mos Metës a Idrizit i mbetej hatri, sot sokëllin kundër tyre nga mëngjesi në darkë. Ashtu siç dërgon dhe merr mesazhe të zbutura kritike apo shishe vere me Lulzim Bashën.
Kush u habit nga bilanci sarkastik i medias që ai ndërtoi në shoun e fundit të Arjan Çanit, duhet ta vendosë atë që kryeministri shqiptar tha atë natë, në të njëjtin kontekst hapësire dhe kohe. Megjithëse ndodhemi në një moment kur bëhen bilancet e politikanëve, e jo të gazetarëve, ai vendosi të lëshojë një goditje me efekt drejt kategorisë tonë, e cila për hir të së vërtetës ka edhe ajo gjynahet e saj jo të vogla. Por kur goditja ndaj “kazanit” vjen nga një prej aksionerëve politikë kryesorë të vetë kazanit, morali fabulës duhet marrë vetëm si formë, e jo si përmbajtje. Sepse nuk mund të jetë Edi Rama “prokurori” moral i klasës së gazetarëve. As ai dhe as ndonjë prej politikanëve të tjerë të nivelit të tij, që në dekadat e pluralizimit kanë qenë nxitësit kryesorë të kësaj klase mediash, me të mirat e të këqiat e saj.
Sarkazma e kazanit përfshihet edhe ajo në logjikën e divorcit të Edi Ramës nga e shkuara e tij. Jo më një person që merr në telefon secilin prej gazetarëve që kanë thënë a shkruar diçka kundër tij në 24 orët e fundit, por një lider gjithnjë e më të sigurt në peshën e tij politike, që krijon gravitacion dhe pushtet në përmasa të tilla, që nuk mund të lëkunden asfare nga goditjet e mediave dhe as nga sulmet personale të njërit apo tjetrit gazetar me apo pa emër.
Edhe sjellja ndaj shtypit përbën një element shtesë në vektorin e ri që ka nisur të ndjekë karriera politike e Edi Ramës në muajt e fundit. Një trajektore e pavarur nga kushdo dhe nga çdo gjë, e cila përmbylljen finale e ka në 25 qershor, kur ai pret rinovimin e mandatit qeverisës. Që do të jetë edhe kurorëzimi final i një lidershipi politik edhe më vetmitar e të paprekshëm sesa ai që kemi parë të ndërtohet gradualisht në katër vitet e fundit. Një lider me axhendë të re po lind nga “gërmadhat” e Rilindjes së vitit 2013, me vështrimin drejt “Shqipërisë që duam”. Që është në fakt Shqipëria e qeverisur vetëm nga një parti…pardon, nga një person! Është kjo dëshira që Edi Rama do të realizojë më shumë se çdo gjë tjetër pas dy javësh. Duhet të bëhemi gati për versionin “Edi Rama 2.0”! Më i mirë a më i keq, do ta shohim së shpejti…
/JavaNews
Diskutime rreth kësaj post