A ka pakt për bashkëqeverisje Rama-Basha?
Kjo pyetje qarkullon që prej 18 majit.
Ja çfarë thotë Mustafa Nano, në një intervistë për Mapo.
Pse fushata aktuale është një fushatë e pangjashme dhe a është lufta ndaj LSI e vetmja gjë e vërtetë e saj?
Fushata filloi menjëherë pas marrëveshjes Rama-Basha, dhe unë besoj se tonet e qeta, gati festive të saj lidhen me thelbin e asaj marrëveshjeje. Asëll-asëll, ne nuk e dimë se për çfarë janë marrë vesh ata, sepse as njëri, as tjetri nuk e kanë hapur gojën, por fushata që ata po bëjnë na lejon të hamendësojmë e spekulojmë. Sipas meje, ata kanë rënë dakord të qeverisin të dy pas zgjedhjeve. Ndryshe, nuk do të kuptohej dot as lufta që të dyja i kanë shpallur LSI-së, e as parehatia që ka kapur vetë LSI-në.
A mund të arrijnë secila nga partitë PS ose PD të vetme, mazhorancën prej 71 votash dhe nëse jo, cilin koalicion paszgjedhor shihni të mundur PS-PD, PS-LSI apo PD-LSI?
Një nga arsyet që mendoj se koalicioni qeverisës do të jetë PS-PD është edhe fakti që koalicionet PS-LSI e PD-LSI duken të pamundura këtë herë. LSI-ja po e ndërton fushatën si opozita e ardhshme, ndërsa partitë e mëdha po sillen si aleatet e nesërme. PS-ja ka shpallur objektivin e vet maksimal për të marrë e vetme 71 deputetë, dhe është e vetmja që mund ta ketë këtë objektiv. Por nuk duket se mund ta arrijë këtë objektiv. Gjasat pra që Rama të marrë 71 deputetë janë shumë të vogla. Nga ana tjetër, gjasat që ai të lidhet me LSI-në pas zgjedhjeve janë edhe më të vogla. E kështu, sikur të mos jetë marrë vesh me Bashën për ta drejtuar vendin tok, atëherë do t’i binte që Rama ka luajtur si një leshko.
Interesi i Bashës për një koalicion me PS-në pas zgjedhjeve është edhe më i madh. Sipas të gjitha llogarive, PD-ja nuk mund të vijë në pushtet e vetme. Madje, nuk është çudi që të dalë më dobët se herët e tjera për shkak të zhvillimeve paraelektorale (çadra, lista e deputetëve, kontestimet e sabotimet nga brenda etj). Nuk duhet të harrojmë, gjithashtu, se në korrik janë zgjedhjet brenda partisë. Vetëm një PD në qeverisje do ta shpëtonte Bashën në garën për kreun e partisë. Zërave kritikë do t’u thotë: Unë e solla PD-në në pushtet. E prandaj, nëse Basha do të dilte e të thoshte sot se nuk ka asnjë marrëveshje për koalicion me PS-në, unë do dilja e t’i thoja; bëhu gati të lëshosh zyrën e kryetarit të PD-së pas zgjedhjeve.
Çfarë do e shtynte Ramën të bënte marrëveshje për të ndarë pushtet me Bashën kur mund ta bënte këtë me LSI që para zgjedhjeve?
Raporti Rama-Meta nuk funksionon. Ata, për të qëndruar në pushtet, mund ta shtynin edhe një katërvjeçar së bashku, por ftohja e urrejtja mes të dyve ka qenë aq e madhe sa kjo u bë e pamundur. Ramës nuk i mbetej gjë tjetër në këto rrethana, veçse të shpresonte të merrte 71 deputetë. Në mos, të ikte në shtëpi. Dhe Rama ka menduar: “Sikur nuk shkon që të iki unë në shtëpi për shkak të Metës; është më mirë të iki Meta për shkakun tim”. Dhe në këto arsyetime e sipër i ka shkuar mendja tek aleanca me Bashën. Kjo gjë, siç e thashë, ka qenë edhe interesi i Bashës. Dhe një gjë, për të cilën ata duhen të jenë dakordësuar shpejt e shpejt, ka qenë plani për ta pastruar fushën nga LSI-ja e partitë e tjera më të vogla.
Cilat do të ishin efektet pozitive dhe negative të një koalicioni të madh pas zgjedhjeve?
Nëse ata janë marrë vesh veç për ta garantuar mbijetesën, fuqizimin apo përjetësimin e pozitave të tyre në politikë, kjo nuk ka asnjë të mirë për vendin. Sepse me këtë logjikë, ku ndryshon koalicioni PS-PD nga koalicioni PS-LSI? Thjesht, pjesën e tepsisë që Rama ia jepte LSI-së tani do ia japë PD-së. E duke qenë se PD-ja e ka oreksin më të madh (është parti më e madhe), punët “e tepsisë” do të shkonin ndoshta më për dreq.
Por unë do doja që të mos e shihja thjesht si një pakt maskarenjsh këtë punë. Saktësoj: Do doja. Nëse ata nuk janë marrë vesh që të bëjnë së bashku ca reforma që i duhen vendit, e që të prezantohen në Bruksel e kudo nëpër botë me një zë të vetëm, në mënyrë që kështu të përshpejtohej disi procesi i integrimit në BE, atëherë i bie që pakti të jetë një pesë me hiç. E nëse është vërtet kështu, atëherë na takon neve që të ushtrojmë presion mbi ta e t’i bëjmë që të mendojnë edhe për gjëra të tilla. Ky koalicion, nëse realizohet, mund e duhet shfrytëzuar për mirë. Vetëm kështu mund të vlente. Nëse jo, vetëm një idiot mund të ngazëllehej prej idesë së koalicionit Rama-Basha.
Diskutime rreth kësaj post