Nga Mero Baze
Lëvizja Socialiste për Integrim, ka vendosur të marrë një pozicion të qartë ndaj dy forcave kryesore politike, duke i konsideruar ato kundërshtare dhe duke i denoncuar për një marrëveshje jotransparente, që nuk ka lidhje me zgjedhjet e lira, por me një plan për të dëmtuar LSI-në.
Qëndrimet e Ilir Metës në Shkodër janë artikuluar edhe më fort, në një emision televiziv përballë gazetarit Roland Qafoku, ku Ilir Meta ka folur hapur dhe pa asnjë dilemë kundër Ramës dhe Bashës.
Ky është zhvillimi i parë pozitiv i kësaj fushate, pasi për herë të parë kemi një forcë politike që merr qëndrim ndaj palëve, të cilat formalisht janë të gjitha në pushtet, dhe ndan llogaritë me to.
Por përse LSI u detyrua të hedhë hapin e parë kundër tyre?
Së pari, viktimat e para të marrëveshjes politike për zgjedhje, kanë rënë zyrtarë të lartë të LSI, dhe dje, edhe një deputet i saj. LSI e shikon këtë si një përpjekje për të ngulitur në opinion mendimin se LSI i merr votat me njerëz të punësuar në administratë.
Së dyti, LSI po ngelej në hije në fushatë, për shkak të fushatës së butë Rama-Basha, kryesisht mes batutave të Ramës dhe butaforisë së “Republikës së re” të Bashës. Sulmi i Ilir Metës ndaj Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, tregon se LSI ka zgjedhur të denoncojë marrëveshjen mes tyre, edhe si një tradhti ndaj PD.
Por kryesorja është se Ilir Meta shikon se ka një klimë reale kundër Bashës në PD, përfshi dhe njerëzit e Berishës. Duke sulmuar pazarin Rama-Basha, Ilir Meta po përgatit terrenin për një aleancë të fortë me kundërshtarët e Bashës në PD dhe vetë Sali Berishën, të cilët mund të jenë vendimtarë për të imponuar një qeveri LSI-PD, nëse Rama nuk merr dot 71 mandate.
Duke e sulmuar Bashën si karagjoz dhe si njeri që është dorëzuar tek Edi Rama, Ilir Meta në fakt është duke i hapur vend vetes, për të ringjallur koalicionin e 2009 dhe duke e kërcënuar Bashën, deri me largim nga PD.
Gjuha e tij e ashpër kundër të dyve, ka një diferencë kur vjen puna tek Basha, të cilin e konsideron njeri të përdorur nga Rama. Praktikisht kjo është akuza më e rëndë që i është bërë Bashës që pas marrëveshjes, përfshi dhe sulmin Topalli-Imami, të cilët nuk ishin kaq të ashpër.
Duke sulmuar në këtë territor, LSI shpreson po ashtu të marrë votat e demokratëve të zhgënjyer nga Basha, me shpresë se ato do ta ndihmojnë të ringjallë PD-në që flaku Basha.
Shihet qartë se kauza e re e Metës është të çojë LSI në pushtet me PD-në që la jashtë zgjedhjeve Basha, duke rikthyer fushatën elektorale në truallin e saj natyral mes dy koaliconeve të mëdha, Meta-Berisha përballë Rama-Basha.
Diskutime rreth kësaj post