Nga Frrok Çupi
Dy ditët e fundit, veçanërisht këto dy ditë, ka shpërthyer një sulm nga të dy krahët kundër LSI. Të dy krahët, dmth., nga Partia Socialiste (partia amë e LSI dhe aleatja e fundit) dhe nga Partia Demokratike- e djathta që ka bërë koalicion me LSI-në e majtë dhe që ruan disa lidhje ‘statiste’, edhe pse të dobëta.
Çfarë ndodhi këto dy ditët e fundit?
Partia Socialiste e akuzoi hapur ministrin e Transporteve që i përket LSI për ‘vjedhje’ të të gjithë fondit për rrugën e Koculit- një fshat në jug të vendit. PS ka thënë pa ndërprerje se LSI ka penguar reformat e qeverisë së majtë gjatë këtyre katër vjetëve. “Teatri” i kullave i makinës me “dy timonë” u kthye në ‘tale’ mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Fillimisht e nisi këtë ‘tale’ një ish ministër i Rilindjes, e adaptoi kryeministri dhe tani po vazhdon nëpër tribuna fjalimesh. Deri në Kukës kur njëri nga liderët e LSI u përgjigj alias terren: “burri mbahet nga fjala, jo nga timoni”.
Po kështu Partia Demokratike ka kryer sulmet e saj. Përveç që e quajti ‘LSI- shpk., që do të zhduket pas 25’, e konsideroi kryetarin Meta një “Tregtar i Venedikut” duke evokuar një vepër të Shekspirit dhe një thashetheme mbi LSI se ‘shet e blen vota’; ministrat e PD po pushojnë nga puna administratorët shtetërorë të LSI, duke u nisur që nga drejtori i përgjithshëm i Postave deri te një kandidate për deputete në Pukë. Sado që pushimet të jenë të drejta, të paktën nuk janë të balancuara; duket sikur vetëm LSI gabon.
A nuk ndjehesh keq kur shikon që dy të fuqishëm, në grup, sulmojnë të tretinl? Edhe sikur ta kesh pasur inat ‘të voglin’, (inat pa fund), përsëri kur e sulmojnë të mëdhenjtë së bashku, ndjehesh keq. Por kur ndjehet keq individi, atëherë ‘keq-ndjesia’ milonëfishohet në shoqëri. Kjo është e para arsye pse po them se ‘sulmi është i pamenduar’.
Në vend që ‘armiqtë’ ta nxjerrin jashtë betejës LSI-në, në këtë mënyrë po e bëjnë qendër të vëmendjes dhe mëshirës. Kush sulmohet nga të fuqishmit, ai afrohet me vetë njeriun dhe përkrahet. Kësaj here mund të ndodhë që përkrahjen qytetarët ndaj ‘viktimës’ ta shprehin me një dhuratë të vogël: Votën.
Njeriu i veçantë, që formësohet si individ, e ka shumë të thjeshtë të bëjë pyetjen: “Pse sulmojnë të dy të fortët, si në dirigjim?”. Mund të mos ketë aspak dirigjim, por kështu po shfaqet. Atëherë plotësohet ideja se PS dhe PD bëhen gati të bashkëqeverisin pas 25, por duke lënë LSI-në në fushën e betejës. Edhe pse dy kryetarët e partive të mëdha e kanë kundërshtuar ‘bashkëqeverisjen’ me fjalë, aq më pak besohet kjo si e vërtetë kur shikojnë ‘dirigjimin’ kundër të tretit.
Historia në rastin e marrëdhënieve ‘të të dyve’ kundër LSI përdoret me dy standarde:
Standardi i parë, fshirja e kujtesës koalicioniste. Si PS edhe PD kanë qenë në koalicione qeveritare me LSI; por kanë qenë ‘shefa’ në koalicion. Gjatë kohës kur ishin bashkë, ishin ‘mish e thua’; sukessi- sukses, fitorja- fitore, burrëria- burrëri. Tani rrëzohen të gjitha brenda dy ditësh! Për PS-në kjo lexohet si ‘paqëndrueshmëri’ ndaj veprës që ke kryer vetë dhe me miq, gjë që nuk krijon besim për votuesin. Nuk ke bërë gjithmonë vetëm ‘mirë’, por edhe e keqja ndahet mes teje dhe tjetrit.
Ndërsa për PD lexohet edhe si ndarje nga epoka Berisha- Meta, ose vetëm nga epoka “Berisha’. Por vlerat morale gjatë fushatës zgjedhore janë themeli i besimit politik dhe i vlerës shtetërore në qeverisje.
Standardi i dytë historik që po ‘preket’ në këtë rast, është po kaq i dyzuar: PD merret me historinë e shekullit të 15 të shkruar nga Shekspiri; ndërsa PS me historitë investitore që i merr era. Asnjëra as tjetra nuk i interesojnë votuesit; ai do të dijë pse do të shkojë para kutisë së votimit. Historizimi e nxjerr fushatën politike nga konteksti i kohës dhe i vlerës.
Fushata ka rënë në vanitet…
Por këto i bën lufta kundër LSI, (ose një gjëje tjetër e perceptuar si target prej dy palëve), kur kthehet në ‘state of mind’. Më mirë do të ishte të thuhet jo vetëm ‘e fiksuar’, por edhe ‘e pa mend’.
Diskutime rreth kësaj post