Policia britanike bëri publik identitetin e dy prej tre personave që kryen sulmin terrorist të së shtunës në Londër. Ata janë Khuram Butt 27 vjeç dhe Tachid Redouane 30 vjeç.
Sipas policisë, Butt ishte i martuar dhe kishte fëmijë. Ai jetonte prej disa vitesh në zonën e Barking, në lindje të Londrës. Butt ishte shtetas britanik, i lindur në Pakistan dhe njihej nga policia apo Mi5, por nuk kishte të dhëna që të sugjeronin një sulm prej tij.
Agresori tjetër, Rachid Redouane, i cili gjithashtu jetonte në zonën e Barking, mësohet se ishte me origjinë nga Maroku dhe Libia.
Butt dhe Redouane, bashkë me një person të tretë, u eleminuan fizikisht nga policia britanike, pak minuta pasi vranë 7 persona dhe plagosën 48 të tjerë. Ata goditën me një furgon të marrë me qera, këmbësorët në urën e Londërs dhe më pas sulmuan me thika njerëzit në zonën e Borough Market.
Burime shëndetësore britanike thonë se 36 prej të plagosurve janë ende në spital, 18 prej të cilëve në gjendje kritike. Shefi i antirerrorit Mark Rowley tha se vazhdojnë hetimet për të konfirmuar identitetin e agresorit të tretë dhe për të kuptuar më shumë për lidhjet e tyre, nëse janë mbështetur apo ndihmuar nga persona të tjerë.
Aktualisht, 10 prej personave të arrestuar në lidhje me sulmin, gjashtë femra dhe 4 meshkuj, po merren në pyetje nga policia. Ndërkohë, analistët thonë se sulmi i të shtunës ngre sërish dyshime për forcat e sigurisë, pasi Butt dhe Redouane janë terroristët e radhës që njiheshin që më parë nga policia, por sërish arritën të kryejnë aktin e tyre.
Mediat britanike raportojnë se disa prej fqinjëve të agresorëve kishin alarmuar autoritetet për ta, sidomos gjatë dy viteve të fundit, kohë kur sjellja e tyre ishte bërë gjithnjë e më ekstremiste.
Diskutime rreth kësaj post