Në takimin që kryesuesi i qarkut të Elbasanit, Taulant Balla zhvilloi me banorët e lagjes “Kala” pati në qendër të diskutimit të tij rëndësinë e votës së shqiptarëve që jetojnë e punojnë jashtë atdheut. Duke nënvizuar faktin se këto janë zgjedhjet e fundit që emigrantët shqiptarë nuk kanë mundësi të votojnë, Balla prezantoi edhe Marjetën, një vazjë e re, e cila ka 17 që jeton në Angli dhe që tashmë është kthyer për të mbështetur fushatën elektorale të Partisë Socialiste në Elbasan.
Në fjalën e saj, Marjeta u shpreh se në Shqipëri ka parë shumë ndryshime. “Çdo vend do të ndryshojë. Psh siç ka qenë Italia që ka qenë një shtet shumë i varfër në vitin 1940, siç ishim ne kur ishte Lufta e Dytë Botërore siç e dini dhe ju të gjithë. Disa njerëz mund të mendojnë që tani Italia është një vend shumë i avancuar, shumë i arritur apo i suksesshëm. Franca apo Anglia e kanë arritur suksesin gradualisht. Jo çdo gjë mund të vijë direkt, njëkohësisht. Gradualisht ne të gjithë bashkë do të punojmë dhe do ta ndryshojmë këtë vend për të mirën tonë, për të mirën e fëminjëve tuaj”.
Ndërsa Balla, u shpreh se kjo është një surprizë e bukur që një shqiptare që jeton prej 17 vjetësh në Angli vendos të kthehet dhe t’i bashkohet skuadrës së PS-së. “Kjo është një surprizë e bukur që një shqiptare që jeton prej 17 vjetësh në Angli vendos të kthehet dhe t’i bashkohet skuadrës tonë për të çuar në çdo cep të Elbasanit mesazhin që duhet të jemi më të bashkuar se kurrë për të garantuar që Edi Rama ta ketë timonin e Shqipërisë i vetëm, pa u dashur që të mbajë në prehër shtojca të cilat i ulin shpejtësinë dhe cilësinë reformave.
Duke përfituar nga rasti dua të them dy fjalë dhe për shqiptarët, elbasanllinjtë që janë kudo nëpër botë që këto janë zgjedhjet e fundit ku emigrantët nuk votojnë. Të jesh e sigurtë Marjeta që në zgjedhjet e vitit 2021, pas katër vjetësh, emigrantët shqiptarë do të kenë mundësi të votojnë atje ku janë, sepse ne i kemi një borxh shumë të madh shqiptarëve që jetojnë kudo në botë. Nuk dua ta përdor fjalën emigrant, sepse ju jeni integruar tërësisht atje ku jetoni, por si ju dhe ne na bashkon një gjë e përbashkët, Shqipëria që duam. Pavarësisht se jeni larguar e keni mendjen tek Shqipëria, tek flamuri kuq e zi i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit. Mesazhi dhe motoja e PS në këto zgjedhje është që kësaj radhe do bashkohemi të gjithë, edhe demokratët më të paepur të Kalasë që nuk e kanë ndërruar dot 25 vjet kësaj radhe do bashkohen bashkë me ne. Shqiptarëve që jetojnë kudo jashtë Shqipërisë, këtyre që janë afër këtu në Greqi, do ti bëja një thirrje që të vijnë të bashkohen me ne në 25 qershor, sepse janë zgjedhjet më të rëndësishme të këtyre 25 vjetëve. Janë si zgjedhjet 92’, kur atëherë na u desh të ndaheshim nga e kaluara komuniste, tani duhet të ndahemi nga një 25 vjet që fillon pikërisht me gjithçka të mirë që sjell reforma në drejtësi dhe ti besoj se je shembulli më i qartë që mund ti tregosh këtyre njerëzve që qoftë Mbretëria e Bashkuar, qoftë Franca apo Italia që ti përmende, por dhe vende që ngjajnë me ne sikurse janë Rumania apo Kroacia e kanë filluar prosperitetin e tyre nga ndërtimi një sistemi drejtësie cili garanton drejtësi për të gjithë”, – përfundoi Balla.
Diskutime rreth kësaj post