Pjesë e rishkruar nga libri “Pardesytë e Bardha”.
Kur përfundova hulumtimin për ngjarjet e dhjetorit ’90 dhe themelimin e Partisë Demokratike, nuk munda të kem në dorë disa dokumente me shumë rëndësi të saj kohe, të cilat padyshim do t’i jepnin një dimension tjetër trajtimit të ngjarjes. Pata shkruar tek “Pardesytë e Bardha”: Midis studentëve të dhjetorit dhe intelektualëve themelues të PD-së shfaqen sot dyshime për dhjetorin ‘90. Vetë ata e shohin sot ndryshe çdo ngjarje. Solidariteti dhe entuziazmi i atyre netëve është zbehur. Shumë prej tyre hezitojnë të flasin për këto dyshime publikisht, por në bisedat e shumta që kam zhvilluar me ta deri në momentin e finalizimit të intervistave, ky dyshim ishte për t’u marrë në konsideratë. Dyshimet kryesore lidhen me rolin e Ramiz Alisë dhe të Sigurimit të Shtetit në të gjithë levizjen që rrëzoi sistemin komunist, por për sa kohë që ende nuk kanë dalë publikisht fakte e dokumenta konkrete apo nuk ka unifikim të dëshmive të tyre, ku të bien dakord për rolin e secilit në ato momente, dyshimet mbeten vetëm dyshime.
Ndoshta, ai version i historisë, për të cilin aludohet nuk ka ekzistuar kurrë. Të paktën në këtë punim, nuk do të thellohemi për të analizuar detaje apo për të dhënë një histori në bazë të tyre. Kjo është një sfidë për vetë protagonistët e dhjetorit 1990.
Vitet apo muajt e fundit, janë publikuar dokumente të rëndësishme që hedhin dritë mbi ngjarjet e dhjetorit ‘90, si një prej momenteve më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Janë dokumentet zyrtare të kohës që përforcojnë dyshimet e protagonistëve të dhjetorit ‘90.
Jam përpjekur të studioj detaje të imtësishme të asaj historie të vitit 1990, për të cilën ka ende hije të errëta, të pazbardhura. Me aq sa kam studiuar, referuar dokumenteve të kohës, të PPSH-së, regjimit të kaluar por edhe të lëvizjes studentore, dëshmive të protagonistëve të dy krahëve, rezulton se madhështia e dhjetorit ’90, nuk është më ajo e shumë viteve më parë. Kjo nuk do të thotë se themeluesit e PD-së nuk kanë merita. Aspak. Por, duhet analizuar se prej nga erdhën ata, kush i stimuloi e në ç’rrethana ia dolën të bëhen protagonistë të njërit prej momeneteve më të rëndësishmë të historisë së Shqipërisë, atë të rrëzimit të komunizimit. Ndoshta është pak cinike të analizohet sot roli i Ramiz Alisë, referuar zhvillimeve aktuale në PD. Por, në fakt aty është origjina e gjithë problematikës që demonstroi Partia Demokratike, pas themelimit të saj. Arben Imami që po përjeton sërish “persekutimin” brenda partisë, por edhe themelues të tjerë të PD-së, e kanë vuajtur në kurriz këtë problematikë. Zhvillimet brenda Partisë Demokratike, pas vitit 1992 dëshmuan se kjo parti kishte marrë me vete një pjesë të madhe të PPSH-së dhe nuk është fjala për individë, por edhe për filozofinë e funksionimit të saj. Kishte trashëguar ndoshta jo diktaturën, por më së paku autoritarizmin. Në dhjetor ’90 e gjen një përgjigje edhe për këtë.
Ka dëshmi që flasin për momentin historik të 11 dhjetorit 1990, kur pleniumi i Komitetit Qendror të PPSH-së shpalli pluralizimin politik. Ja si e kujton atë ditë, ish-zyrtari i lartë i PPSH-së, Spiro Dede. Ka argument të rëndësishme për t’u përfillur ky citim i tij, i dhënë për librin “Trashëgimtarët-Partia Socialiste midis Transformimeve dhe Vazhdimësisë”.
Mbaj mend atë ditë që u bë pleniumi për të shpallur pluralizimin, që mua më duket një budallallëk i madh. Çfarë pune kishte PPSH-ja të shpallte pluralizimin. Ishte shteti që duhet ta bënte këtë lëshim, të shpallte pluralizëm. Pse duhej PPSH në plenium, të shpallte pluralizmin. Atë mëngjes unë shkova në Qytetin Studenti. Unë kisha mik Berishën dhe kisha dëgjuar për Azem Hajdarin, por nuk e njihja. Vajta të shikoj se çfarë bëhej. I takova dhe u ktheva në mbledhje.
Kishte mendim nga anëtarët e Byrosë dhe KQ se protestuesit ishin grupe armiqësore të përgatitura, se atje ishin shtresat e përmbysura. Unë u thashë atyre në plenium se ata protestues në shesh, ata studentë, ishin djem e vajza komunistësh dhe djem shumë të mirë. Nuk kanë as një qëllim që të kthejnë klasën e përmbysur, por thjesht duan pluralizëm, që të krijojnë partinë e tyre. Vazhduan diskutimet…
Është një dëshmi domethënëse. Një sërë ngjarjesh me shumë rëndësi e kishin paraprirë këtë ditë të shpalljes së pluralizimit nga vetë Ramiz Alia në forumet më të larta të Partisë Shtet.
Me atë akt, Ramiz Alia po finalizonte procesin e përcaktimit të pushtetit pas rënies së komunizmit. Pjesë e atij pushteti, padyshim ishin të gjithë ata dhjetoristë që u përfshinë në politikë, qoftë në PD e qoftë në PS apo parti të tjera. Ka një dhjetor që e përkujton PD-ja si origjinë të historisë së saj, por dhjetori është edhe i PS-së e partive të tjera që kanë formësuar elitën politike të 27 viteve. Shumica e tyre edhe ata që sot përbëjnë elitën politike shqiptare, vijnë nga dhjetori ’90, nga aktivizimi i tyre i drejtpërdrejtë apo i etërve të tyre.
Është thelbësore për të kujtuar se nuk duhet harruar fakti se atje në sheshin e dhjetorit 90, munguan “shtresat e përmbysura”, siç i quante Ramiz Alia dhe pasardhësit e tyre në politikë. Shtresat e përmbysura e morën emrin ish-të përndjekurit politik dhe mbi ta është abuzuar pandarë nga PD-ja prej kohës së themelimit e deri sot. Ata nuk u përfaqësuan kurrë denjësisht në PD e s’kishin si të përfaqësoheshin në anën tjetër të politikës, në PS apo parti të tjera. A ishte kjo një marrëveshje që parapriu dhjetorin ’90? Ndoshta duhet ende kohë për ta vërtetuar. Por Berisha e ka një shpjegim pas 26 vitesh.
Në një intervistë në Top Story, në dhjetorin e vitit që shkoi, Berisha ka deklaruar më qartë se asnjëherë më parë: Lëvizja studentore e Dhjetorit, ishte lëvizje e bijve kundër etërve. Nuk mund të ishe student pa pasur një prejardhje ‘të shëndoshë’. Pjesa më e madhe e studentëve në protesta nuk vinin nga shtresa e të përndjekurve”, tha Berisha.
Ajo që tashmë është e vërtetuar, është fakti se dhjetori ’90 hap pas hapi, u krye më së paku, me dijeninë e plotë të Ramiz Alisë. Gjen detaje të rëndësishme për të argumentuar këtë, në dokumentin e mbledhjes së Byrosë politike të tetorit të vitit 1990, i publikuar në media pak ditë më parë. Në atë dokument Ramiz Alia jep udhrat për të shpërndarë njerëzit e tij nëpër partitë politike që do të krijoheshin shumë shpejt në Shqipëri. Mbledhja zhvillohet në tetor 1990, pra dy muaj para ngjarjeve të dhjetorit.
Ja si shprehet Ramiz Alia në mbledhjen e Byrosë Politike të tetorit 1990:
Në këto kushte lufta jonë nuk është e lehtë, por shumë e vështirë, ajo kërkon një mobilizim të madh të Partisë e të masave për t’ia dalë në krye, duke ruajtur pozitat e Partisë. Ndryshe rreziku do të na qëndrojë mbi kokë si shpata e Demokleut, sepse askush në botë nuk do që këtë proces të demokratizimit në vendin tonë ta udhëheqë Partia. Reaksioni kërkon likuidimin e komunizmit, të Partisë, të pushtetit popullor. Dhe është për të ardhur keq që disa nuk po e kuptojnë ose nuk duan ta kuptojnë këtë.
Iniciativën duhet ta kemi ne në dorë. Por, atë nuk mund ta mbajmë, në qoftë se nuk kemi mbështetjen e popullit, në qoftë se masat e gjera punonjëse nuk i kuptojnë këto gjëra dhe nuk janë të bashkuar me ne. Këtë duhet ta kemi të qartë.
Dy muaj më pas, nën kujdesin e PPSH-së u shpall pluralizmi…..
E megjithatë, dhjetori ’90 do të mbetet në histori si një ndër momentet më të rëndësishme bashkë me dhjetoristët, bashkë me Arben Imamin e bashkë me Sali Berishën e mijëra të tjerë që u angazhuan për të projektuar Shqipërinë pluraliste. Por, madhështia e dhjetorit ’90 nuk mund të shërbejë më si një varkë shpëtimi për ata që rrezikojnë të mbyten, qofshin të dhjetorit apo edhe të pjesës tjetër të PD-së, qëndrestarët. Me të gjitha dritëhijet e veta, dhjetori ’90 e mbylli funksionin e tij brenda PD dhe do të mbetet atje si një moment historik, mbi të cilin studiuesit nuk do të reshtin së hulumtuari.
Dhjetori ’90 nuk mund të jetë më një shtyllë qëndrore e PD-së, as protagonistët e tij. Nuk mund të përdoret si e tillë, nuk është më një kauzë. Jemi 27 vite më vonë dhe Shqipëria ka ndryshuar me të mirat e këqijat e saj, bashkë me të edhe Partia Demokratike. Në s’do të donin të qëndronin, “dhjetoristët” do të duhet të kishin krijuar tashmë një kauzë të re. Kauza të cilën ata mund ta kishin përdorur, ishte demokracia e brendshme. Për 27 vjet këtë kauzë e mbyti Sali Berisha dhe dhjetoristët bashkë me studentët e dhjetorit, veçse e pranuan diktatin e tij. Kjo tashmë është kauzë për një tjetër gjeneratë të kësaj partie. Do të jetë sukses apo dështim i Lulzim Bashës e të tjerë që mund ta pasojnë. Kërcënimet e Imamit e dhjetoristëve të tjerë nuk i përligj dot më dhjetori.
Për qëndrestarët ka shumë pak fjalë për të thënë. Tetë vite qëndrestarë u shpërblyen me tetë vite pushtet. “Persekutimi” i tyre në 1997-2005 u shlye me poste drejtuese në qeverisjen e PD-së në vitet 2005-2013. Është koha e një tjetër Partie Demokratike. Përndryshe PD-së i vjen fundi siç ka ndodhur me simotrat e veta në vendet e Europës Juglindore.
Diskutime rreth kësaj post