Prokurorët po diskutojnë të kërkojnë ndihmën e autoriteteve gjermane për të marrë një përgjigje në kohë rekord mbi incidentin e ndodhur gjatë mitingut të Partisë Demokratike, ku u dëmtuan 146 tubues.
Një burim i tha Top Channel se asistenca e të huajve do të kërkohet pasi nga komunikimet me ekspertët e mjekësisë ligjore është thënë se në Shqipëri ky proces zgjat sepse nuk disponohen aparatura të fjalës së fundit.
Kjo ekspertizë do të konfirmojë se çfarë elementesh ndodheshin në gjakun e 22 shtetasve, të cilët u regjistruan për ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që pjesa tjetër u paraqiten me shqetësime të lehta.
Por nga ana tjetër, Prokuroria po pret edhe ekspertizën e ushtrisë që këqyri jo vetëm vendngjarjen në një perimetër të caktuar në bulevard, por edhe veshjet e protestuesve që shfaqen dhimbje sysh dhe në trup.
Jo zyrtarisht, thuhet se ekspertiza e Forcave të Armatosura tregon se në bulevard nuk është gjetur asnjë element i rrezikshëm.
Por ndërkohë zyrtarisht Prokuroria nuk e regjistroi çështjen hetimore sipas referimit të policisë për dyshimet e ndotjes së ajrit, por për veprën 325 që është pengim i subjekteve elektorale për të zhvilluar aktivitetin e tyre.
Po ashtu, dyshohet se simpatizantët mund të jenë lënduar nga dritat e projektorëve, por në një videoregjistrim, oficerët e policisë gjyqësore duket se janë penguar të bëjnë detyrën e tyre nga ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, i cili nuk i lejon t’i sekuestrojnë të gjitha pajisjet e përdorura gjatë mitingut.
Gjithçka është kapur nga kamerat në trupin e policëve. “Ktheji të gjithë mbrapa. Merrni vetëm një dhe vazhdoni procedurën. Do marrësh vetëm një… Të tjerat… Merr një dhe bëj hetimin. Kush i ka ngarkuar këto? Ktheji mbrapsht. Siç i keni kthejini mbrapsht. Nuk është se duhen të 12 për të bërë hetimin. Hetimi bëhet mbi një dhe dilet në një konkluzion. Ajo nuk është armë që ka qëlluar dhe duhen të 12 armët”, dëgjohet në video të ketë thënë ministri.
Oficerët e policisë gjyqësore ishin mesnatën e së dielës pranë zyrave të kompanisë që realizoi ndriçimin e mitingut të Partisë Demokratike dhe sapo kanë marrë pajiset për hetim, janë gjendur përballë ministrit teknik që kërkonte të ndërprisnin punën.
Diskutime rreth kësaj post