Nga Ardit Rada
Partia Demokratike duket se do të përballet me një luftë të ashpër brenda vetes, ndërkohë që betejen duhet ta kishte me elektoratin për zgjedhjet e Qershorit. Kanë qenë Jozefina Topalli dhe Arben Imami ata që guxuan sot përmes një konference për shtyp të kërkojnë frenimin total të Lulzim Bashës, përmes aktit më ekstrem: Shkarkimin e tij nga drejtimi i partisë. Dy nga zërat më të fuqishëm të qeverisjeve ‘Berisha’ kulmuan pas pakënaqësive dhe tërheqjeve të njëpasnjëshme të disa prej kandidatëve të PD, që me gjasë ishin listuar pa u pyetur fare.
Do të ishte naive të mendosh se Topalli, Imami apo emra të tjerë që pritet t’i bashkohen thirrjes së tyre, ta kenë të gjithë këtë ‘mllef’ se përse nuk u përfshin në listë. Në të kundërt, përjashtimi i tyre nga kandidimi tregon një risi në vendimet e partisë më të madhe opozitare sot. Me gjasë Lulzim Basha i ka përpiluar vërtetë listat pa u konsultuar me Sali Berishën. Kreu aktual i PD mund të ketë marrë “Ok” nga udhëheqësi historik që pas sprovës me çadrën tashmë ta marrë vetë në dorë karrierën e tij dhe vendimet politike.
Por një listë jo vetëm gjysmake, por edhe me kandidatë që po dezertojnë dita-ditës, është treguesi më i qartë për mungesën e burimeve njerëzore brenda PD. Nga ana tjetër, kandidimi i Sali Berishës në këto zgjedhje nuk është gjë tjetër veçse pengmarrja e këtij të fundit nga fati i tij politik që krijoi përmes drejtimit autoritar. A mund të rrijë i vetëm Berisha në një grup parlamentar pa themeluesit si Topalli, Imami, Ruli, Selami dhe Bode? Duket se do ta ketë të vështirë, aq më tepër midis emrave të panjohur që klanet pranë Bashës kanë përcaktuar në renditje fituese.
Sali Berisha po bën sakrificën e fundit për t’i dhënë një dorë Lulzim Bashës. Ai ka mbetur viktimë e fushatës duke tentuar t’i japë Bashës maksimumin e mandatev të mundshme përmes emrit të tij. Sepse një listë kandidatësh pa emrin e Berishës do të ishte demoralizimi më i madh që do t’i ndodhte demokratëve në histori. Lulzim Basha duhet të hapë garën për kreun e PD qysh tani, duke përcaktuar datën në korrik dhe duke ftuar cilindo demokrat të garojë. Dhe këtë herë të bëjë një garë të pastër, pa Berishën.
Sepse Berisha nuk mund ta mbajë më mbi supe, qoftë për moshën që ka, por qoftë edhe për nyjen e pazgjidhshme që ka mpleksur Basha në PD. Vendimet e deritanishme të Bashës nuk bënë asgjë tjetër veçse prodhuan një Parti Demokratike të re, shumë më të dobët sesa një parti që mund të krijohet nga të përjashtuarit.
Që revolucioni i dhunshëm ha bijtë e tij, kjo dihej. Por që revolucioni paqësor i çadrës do hante prindërit, nuk e kishte menduar njeri.
Diskutime rreth kësaj post