I krijuar që në vitin 1951, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, ka qenë dhe është një ndër institucionet më të rëndësishme të Arsimit të Lartë në vend.
Mbart një histori më vete përsa i përket kontributit, jo vetëm për nga veprimtaritë e shumta, që nga organizimi i konferencave shkencore dhe pjesëmarrja në tubime shkencore kombëtare, rajonale e ndërkombëtare, por edhe për punimet shkencore e të teksteve për shkollën e lartë, të mesme dhe 9-vjeçare.
Profesorati i këtij fakulteti ka dhënë një ndihmesë të dukshme edhe për ngritjen dhe funksionimin e fakulteteve të Universiteteve të tjera të Shqipërisë, duke përfshirë dhe Universitetin e Prishtinës.
Gjithashtu ky fakultet mbetet institucioni më i rëndësishëm i vendit për përgatitjen e mësuesve dhe kualifikimin e studiuesve.
Nuk mund të mos përmendet që nga degët e këtij fakulteti, janë përgatitur edhe kontingjenti për institucionet kërkimore-shkencore sikurse edhe për institucionet e tjera kulturore të vendit, si ATSH-ja, Radioja e Televizioni, institutet e Akademisë së Shkencave dhe më vonë universitetet në rrethe, shtëpitë botuese etj.
E sot në një aktivitet tejet të veçantë, ky Fakultet i përbërë nga 6 departamente, ka prezantuar ofertën akademike për maturantët të cilët janë përballë zgjedhjes së tyre për të vazhduar studimet e larta
Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë ka organizuar sot ditën e hapur me qëllim prezantimin dhe informimin e gjimnazistëve mbi programet akademike.
Një sërë broshurash me informacione të ndryshme u janë shpërndarë maturantëve në eventin “Open Day” 2017, ndërsa atyre u është dhënë edhe mundësia të vizitojnë ambientet e fakultetit dhe të diskutojnë me pedagogët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.
Dekania e këtij fakulteti, Valentina Duka është shprehur se ky është një aktivitet për ti sensibilizuar maturantët që të jenë pjesë e Universitetit të Tiranës, Universitetit më të madh dhe më të rëndësishëm të Shqipërisë.
Duka u bëri një ftesë atyre që të bëhen pjesë e këtij Fakulteti që është Qendra e Studimeve Albanologjike në të gjithë degët që ai ofron.
Me një staf akademik të kualifikuar e të përkushtuar për përgatitjen e studentëve , Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë mbetet një mundësi e artë për të gjithë ata që janë të interesuar ta ndërtojnë karrierën e tyre profesionale si në sektorin publik, ashtu dhe në atë privat. /a.g/
Diskutime rreth kësaj post