Nga Sokol Shameti
Ai çau me guxim përpara duke shtyrë majtas belgun dhe djathtas spanjollin. Më pas i hodhi një vështrim sfidues turmës. Edhe katër pesë vetë e ndanin nga rreshti i parë – zona ku luhej loja e madhe, territori ku ndaheshin fatet e botës, aty ku vendin e kishin vetëm ata që realisht vlenin. E imagjinoi veten aty dhe vendosi që i pëlqente.
Me entuziazëm në shpirt dhe sy që i shkrepëtinin si cjapit në sezon çiftimi, ai shtriu sakaq zgupthi francezin, flaku në ajër polakun dhe shkeli si tapet kurrizin e hollandezit. Edhe pak. Edhe pak…
Dhe ja ku ishte tani krah për krah me gjermanin, turkun dhe diku në qendrën e rrethuar si perla prej guackës, me amerikanin. Tani edhe ai ishte në një rresht me të mëdhenjtë. Dhe kush? Ai. Kryeministri shqiptar. Shefi i Erjon Braçes. I erdhi për të qeshur, por e mbajti veten.
Pas shpinës së tij, kanali që ai kishte hapur me dhunë si motoskaf midis atyre që i zinin rrugën, nuk ishte mbyllur akoma. Ai u shtir i shpenguar.
Futi duart në xhepa, nisi të vërshëllente dhe iu afrua me stil epiqendrës së muhabetit duke ecur skiç. Me mendje bluante batutën që do të lëshonte në momentin vendimtar: atë që do t’i bënte të mëdhenjtë të vinin buzën në gaz dhe t’i jepnin ndonjë grimasë sado të vogël nga ato që po t’i fiksosh në foto, mund t’i bësh të flasin njëmijë fjalët që ti do të doje të thonin.
Mbajti vesh. Kancelarja me presidentin diçka po çuçurisnin. Veshi i kapi vetëm: “…po vjen fuqia më e re bërthamore, Shqipëria, hahahaha…”.
Në këtë moment, idioti frenoi gozhdë, buzëqeshi me siklet duke krruar kokën siç bën kur s’di ç’të bëjë dhe e la turmën e argëtuar të atyre që kishin ndjekur gjithçka pas shpine, ta parakalonin duke nënqeshur me përbuzje.
Diskutime rreth kësaj post