Ish shefi i Krimit Ekonomik, Arjan Hoxha është propozuar nga Partia Demokratike, në bazë të marrëveshjes Rama-Basha, për të qenë drejtor i ri i Burgjeve.
Hoxha nuk është një emër i panjohur për opinionin publik. Ai ka patur një rol kyç në arrestimin e babait të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, të dyshuar për kontrabandë ilaçesh.
Fill pas marrjes së pushtetit nga Partia Socialiste në vitin 2013 ai u shkarkua nga detyra, vendim që e cilësoi si hakmarrje personale të Tahirit. “Për operacionin ku u arrestua babai i ministrit janë liruar katër persona, ndërsa janë transferuar në detyra të tjera efektive të tjerë të njësisë së antikrimit ekonomik që drejtoja unë. Pra, në total 8 efektive të njësisë ku unë punoja kanë pësuar lirime dhe transferime si rezultat i arrestimit të ligjshëm të babait të ministrit, për kontrabande ilaçesh”, është shprehur Hoxha gjatë marrjes në pyetje për këtë çështje nga komisioni hetimor parlamentar i ngritur me kërkesë të opozitës për lëvizjet në Policinë e Shtetit.
“Veprimet e mija në arrestimin e Bashkim Tahiri kanë qenë tërësisht ligjore. Të ligjshëm arrestimin e Bashkim Tahirit e ka vlerësuar dhe Gjykata e Tiranës”, – sqaroi aso kohe Hoxha. Sipas tij, lirimi nga detyra dhe vartësve të tij nuk kishin asnjë bazë ligjore. “Lirimin e konsideroj si hakmarrje personale dhe politike”, – u shpreh ai.
AKUZA PËR FALSIFIKIM DIPLOME
Deputeti socialist Taulant Balla ka akuzuar ashpër rreth 3 vite më parë ish shefin e Krimit Ekonomik, Arjan Hoxha duke pretenduar se ka falsifikuar diplomën e Akademisë së Policisë.
Por, pas një ekzaminimi me mjete tekniko-shkencore të dokumentit “Listë Notash”, me datë 25.07.1999, rezultoi se ishte falsifikuar firma e ish drejtorit të Akademisë së Policisë, Luan Veliqoti. “Nga ekzaminimet krahasuese të kryera shkrimore, u arrit në konkluzionin se: ‘Nënshkrimi në emër të Prof.As.Dr.Luan Veliqoti, plotësuar poshtë rubrikës ‘Drejtori’ në dokumentin ‘Listë-Notash’ me datë 25.07.1999 në emër të Arjan Xhevit Hoxha, të Akademisë së Rendit Publik objekt ekspertimi, nuk është shkruar nga Luan Veliqoti”, thuhet në akt ekspertizën.
Në këto kushte, Balla bëri me dije se do të ngrinte padi penale ndaj shtetasit Arjan Hoxha. “Akt ekspertiza e drejtorisë së policisë për listën e notave të vitit 99, ku rezulton se firma e drejtorit Luan Veliqoti rezulton e falsifikuar. Ju keni falsifikuara firmën e drejtorit në vitin 99. Materialet do t’i referohen nga Parlamenti, Prokurorisë për ndjekje penale”, – deklaroi Balla.
Por, një fakt i tillë u kundërshtua nga Hoxha, duke deklaruar se do të ishte ai që do ngritne padi penale ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të aso kohe, Artan Didi dhe ekspertëve. “Akuza që mu bë për falsifikim të diplomës së Akademisë së Policisë janë tërësisht të pabazuara. Kam marrë në Akademinë e Policisë vërtetimin që tregon që kam kryer Akademinë nga 94 deri në vitin 99, bashkë me listën e notave”, u shpreh Hoxha.
Diskutime rreth kësaj post