Partia Socialiste ka bërë një analizë të situatës së saj elektorale në të gjithë vendin, duke parashikuar që të marrë e vetme 75 deputetë në 25 qershor. Analiza e detajuar i është prezantuar dje Edi Ramës nga të gjithë drejtuesit e qarqeve, duke bërë krahasime me vitin 2013 dhe tani.
Kjo është shifër optimiste e bërë me dije gjatë një takimi që kryeministri Edi Rama ka pasur pasditen e djeshme me të gjithë kandidatët për deputet të Partisë Socialiste si dhe grupin parlamentar aktual në kryeqytet. Sipas raportimeve në këtë mbledhje, mësohet se Tahiri është shprehur për një shifër prej 17 deputetësh në kryeqytet, ndërsa Vangjush Dako ka thënë se në Durrës “6 mandate janë dështim, 7 detyrë dhe 8 fitore”, duke lënë të kuptohet se pritshmëria në këtë qark është për 8 mandate.
Në Vlorë Gjiknuri ka parashikuar 7 mandate, ndërsa Klosi në Berat 4 të tilla. Lindita Nikolla parashikon të marrë 4 deputetë në Lezhë, ndërsa Ditmir Bushati në Shkodër po kaq. Mimi Kodheli parashikon të marrë 2 mandate në Kukës, ndërsa Ilir Beqja në Dibër parashikon 3 mandate. Taulant Balla është shprehur optimist për 7 deputetë në Elbasan, ndërsa po kaq pret të marrë dhe Niko Peleshi në Korçë.
Gramoz Ruçi është shprehur se në Fier do të marrë 9 mandate, ndërsa Çuçi në Gjirokastër, 3 të tilla. Burime nga mbledhja bëjnë me dije për “Shqiptarja.com” se Rama u ka thënë deputetëve se qëllimi kryesor është sigurimi i 71 mandateve, e vetme, ashtu si kurse ka deklaruar edhe më herët në daljet e tij publike. Ai u ka kërkuar të gjithë kandidatëve të nisin menjëherë punën në terren. “Shkoni derë me derë, mos lini njeri pa takuar. Shpjegoni marrëveshjen dhe fitoren tonë për vettingun. Duhet të punojmë me këmbëngulje për çdo votë.
Duhet të marrim minimalisht ato që morëm në vitin 2013. Duhet punë për vete natë e ditë në terren. Zgjedhjet do të certifikon tashme dhe do të kemi të hapur rrugën për integrimin, duke shtuar dhe reformën për drejtësinë”,-mësohet të ketë thënë Edi Rama. Për sa i përket marrëveshjes së dy ditëve më parë, Rama është shprehur se nëse do të hynin në zgjedhje
pa opozitën, atëherë nuk do të kishin mundësi për të qeverisur për një mandatë të plotë.
“Dialogu me opozitën do të vijojë edhe pas zgjedhjeve. Marrëveshja me PD ishte zgjedhja më e mirë për PS. Të vetëm ne nuk do të qeverisnim gjatë, pavarësisht se e kishim të sigurt fitoren”,-mësohet të ketë thënë Rama. Ai ka rikonfirmuar se komunikimi me opozitën do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve, pasi sipas tij në këtë mënyrë do të bëhej i mundur miratimi i disa prej Reformave më të rëndësishme për vendit, miratimi i së cilave do t’i hapte rrugë Shqipërisë për integrimin në BE. “Mos u shqetësoni për ndryshimet në qeveri. Ministrat teknikë do të qëndrojnë vetëm një muaj, deri ditën e zgjedhjeve. Ministrat do të jenë vetëm monitorues dhe vëzhgues. Nuk do të ketë asnjë shkarkim dhe raprezalie tek administrata. Mos u shqetësoni”,-mësohet të jetë shprehur Rama.
Në mbledhjen e djeshme, Rama ka komentuar edhe mos arritjen e një koalicioni parazgjedhor me Partinë e LSI. “I lutëm për koalicion që në tetor. Jo sot, jo nesër, nuk deshën. Jemi në të drejtën tonë për të ecur për para dhe nuk i kemi dalë nga fjala askujt”, ka thënë Rama. Përveç kandidatëve për deputetë, i pranishëm është edhe i gjithë grupi parlamentar i PS, duke qenë se të hënën pritet të mblidhet parlamenti në një seancë të jashtëzakonshme për të miratuar disa ndryshime ligjore që do të bëjnë të mundur implementimin e marrëveshjes që u arrit para tre ditësh mes Ramës dhe Bashës.
Projeksionet e PS
Tiranë 17
Vlorë 7
Berat 4
Lezhë 4
Shkodër 4
Kukës 2
Dibër 3
Elbasan 7
Korçë 7
Fier 9
Durrës 8
Gjirokastër 3
Gjithsej 75 deputetë
Diskutime rreth kësaj post