Partia Demokratike ka nisur procesin e konsultimit për kandidatët për deputetë.
Afro 1700 individë janë propozuar nga më shumë se 27 000 qytetarë në aplikacionin “on line”, në faqen zyrtare të PD dhe afro 1500 propozime kanë ardhur nga baza demokrate gjatë një procesi që zgjati 3 muaj dhe përfundoi pak para protestës së opozitës, më 18 shkurt.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ngritur një grup pune i cili prej dje ka nisur punën në terren në kontakte me strukturat e PD dhe me faktorët e komunitetit për të siguruar të dhëna sa më objektive rreth kandidatëve potencialë të PD. Ky proces synon evidentimin e kandidatëve me përfaqësues në bazë të integritetit, aftësive dhe reputacionit të tyre në komunitet.
Burimet nga PD bëjnë të ditur se anëtarët e grupit të punës janë përcaktuar jashtë konfliktit të interesit dhe se në rast kandidimi, asnjëri prej tyre nuk do të garojë në qarkun ku janë angazhuar këto ditë në këtë proces. Bëhet e ditur se përbërja dhe ndarja e grupit të punës është si vijon: në Shkodër, Edi Paloka; në Lezhë, Arben Ristani; në Kukës, Dhurata Cupi; në Dibër, Ervin Salianji; në Durrës, Florjon Mima, në Elbasan, Albana Vokshi, në Fier, Flamur Noka, në Berat, Tritan Shehu; në Korçë, Edmond Spaho; në Vlorë, Grida Duma, në Gjirokastër, Gent Strazimiri dhe në Tiranë, Aldo Bumçi.
Diskutime rreth kësaj post