Në të njëjtën minutë, të sinkronizuara, selitë e PS dhe PD shpërndanë marrëveshjen politike të 18 majit 2017, me propozimin e PD dhe të pranuar nga PS.
Edi Rama dhe Lulzim Basha pas takimit për më shumë se 5 orë zgjodhën të mos flasin për mediat, por marrëveshjen e kanë hartuar qartë. Ajo nis me një falenderim dhe mirënjohje për SHBA dhe BE për kontributin e tyre për zgjidhjen e situatës politike për zgjedhjet e vitit 2017.
Palët konfirmojnë vullnetin e tyre për dialog të drejtpërdrejtë si shprehje e domosdoshmërisë për një nivel të ri të dialogut politik në vend. Në këtë kuadër, palët angazhohen për institucionalizimin e dialogut mes kryetarit të mazhorancës dhe kryetarit të opozitës.
Burimet thonë se kjo do të thotë takim periodik i Edi Rames me Lulzim Bashën. Angazhimi i palëve për zgjedhje me standarde demokratike do të jetë pjesë thelbësore e kontributit të përbashkët dhe të vazhdueshëm të palëve në kuadër të çeljes së negociatave dhe perparimit të vendit në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Marrëveshja nis me zgjedhjet, ku partitë i sugjerojnë Presidentit të Republikës që të dekretojë datën e re të zgjedhjeve, më 25 qershor. Do të nisë regjistrimi i menjëhershëm i partive politike të opozitës dhe regjistrimi i listave shumëemërore të partive të opozitës brenda datës 26 maj 2017.
Sipas marrëveshjes zgjedhjet e pjesshme në Kavajë do të mbahen në të njëjtën ditë me zgjedhjet e përgjithshme, pra me 25 qershor dhe do të pezullohet çdo iniciativë për kontrata të përkohshme në nivel qëndror dhe vendor.
Pika e dytë e marrëveshjes së dakordësuar mes palëve është qeveria, ku bie në sy fakti se kryetari i LSI-së, Petrit Vasili del jashtë kabinetit. PD do të marrë zv.kryeministrin dhe 6 ministri kyçe, Ministrinë e Brendshme, Arsimin, Shëndetësinë, Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Financat dhe Drejtësisë. Emrat do të miratohen nga Partia Socialiste. Opozita do të propozojë edhe kandidaturat për 5 drejtori, OSHEE, ALUIZNI, Hipotekat, Burgjet dhe Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor e Rural.
Rama dhe Basha janë dakordësuar që të votojnë në një seancë të jashtëzakonshme në parlament organet e vettingut, të votojnë dekretet e anëtarëve të rinj të Këshillit të Ministrave, të ndryshojnë Kodin Penal përmes ashpërsimit të sanksioneve, krijimit të veprave të reja penale dhe kthimin e shitblerjes së votës në vepër korrupsioni.
Të forcohet kuadri ligjor për financimin e partive dhe votimi i anëtarëve të Këshillit të Ministrave, anëtarëve të organeve të vettingut dhe i legjislacionit të parashikuar në këtë marrëveshje do të kryhet në të njëjtën seancë të jashtëzakonshme të parlamentit. Opozita do të propozojë, sipas marrëveshjes, kreun e ri të KQZ dhe Avokatin e Popullit.
Por pjesa e tretë e marrëveshjes është edhe më interesante. Bëhet fjalë për ato që quhen reformat kyçe që do të votohen me fillimin e punës së legjislaturës së re. Mes tyre reforma kushtetuese dhe ajo zgjedhore, ndërsa futja e teknologjive elektronike për votim dhe numërim mbetet për zgjedhjet pasuese.
Dekriminalizimi mbetet sërish një pikë kyçe e marrëveshjes politike, ku palët angazhohen për largimin e personave me rekorde kriminale, duke e nisur nga vetë listat partiake. Opozita do të marrë pjesë gjithashtu edhe në Task Forcën Kombëtare të Luftës kundër narkotikëve për të forcuar luftën kundër këtij fenomeni.(TCH)
Diskutime rreth kësaj post