“Më në fund kemi një marrëveshje historike me dy liderë de jure por edhe de facto të PS dhe PD të cilët shtrëngojnë duart para kamerave. Ky është një moment që nga sa di unë nuk është parë prej shumë kohësh në skenën politike shqiptare. Kemi pasur shtrëngime duarsh në raste ceremonish dhe konferencash, por jo pas një marrëveshje.
Çfarë është kjo marrëveshje dhe çfarë mund të vihet re në shfaqjet publike të takimit të parë kokë më kokë të dy krerëve të partive shqiptare? Kemi një marrëveshje të arritur mes dy liderëve të brezit të ri të cilët edhe duarshtrëngimin para kamerave e bënë në mënyrë më sportive. Marrëveshja është bekuar nga amerikanët. Është një marrëveshje historike edhe sa i takon mungesës së precedentëve, sa i takon edhe përfshirjes teknike në qeveri.
Marrëveshja ndjek një model grek, kur disa ministra në prag të zgjedhjeve bëhen ministra konsensualë. Ky është një moment shumë interesant. Rama i dha shansin Bashës që të afirmohet brenda PD-së si lider, pavarësisht se forma e zgjedhur përmes çadrës nuk e nderon shumë Shqipërinë. Basha ngjan se u afirmua si lider edhe përkundrejt gardës së vjetër të PD-së, që nuk janë shfaqur pranë tij, apo çadrës.
Marrëveshja e sotme ka bërë xhelozë europianët, por edhe Metën. Zhvillimi i këtyre negociatave u bënë në Kuvend ku Meta është zot shtëpie dhe u bënë pa praninë e tij. U afirmua roli qendror i dy liderëve të rinj, Rama dhe Basha. Nuk u theksua ajo që kish qenë deri tani tripolariteti.
Basha u përpoq që të jepte idenë që po bllokonte marrëveshjen. Në mes të ditës Berisha tha se Rama po refuzon marrëveshjen amerikane. e vërteta është që pati një ultimatum kohor amerikan, që të plotësoheshin të gjitha kushtet e “McAllister +”. Përkundrejt këtij ultimatumi kohor sipas të cilit deri në orën 12:00 dy palët duhet të pranonin marrëveshjen pa asnjë ndryshim, paradoksalisht u vu re që ishte opozita ajo që e pranoi, ndërkohë që Rama i ushqeu për pak orë mediat me idenë që ishte ai që po kundërshtonte”.
Kështu e komenton Mentor Nazarko në një analizë të botuar tek faqja e tij Konica.al, marrëveshjen e arritur mes Ramës dhe Bashës mbrëmjen e së mërkurës.
Diskutime rreth kësaj post