Interesa në Europë duan të përgjakin shqiptarët

Akademiku Rexhep Qosja, trajton zhvillimet politike në Shqipëri dhe problemet e krijuara nga çadra e opozitës në bulevard. Pavarësisht se për këto çështje është shkruar jashtëzakonisht shumë, mendimi dhe vizioni i Profesor Qoses është i veçantë, ka një peshë tjetër dhe dëgjohet me nderim.

Dje publicisti i njohur Ymer Minxhozi më thoshte: Këto që thotë Profesor Qosja te ‘DITA’ i mendojnë edhe të tjerë, disa i diskutojnë nëpër tryeza, por ai (pra Profesori) i artikulon qartë dhe me një guxim të madh ua thotë me zemër në dorë bashkëkombasve të tij që i do si rrallëkush tjetër, ndaj dhe adhurohet aq shumë nga shqiptarët… Pikërisht kjo është merita edhe e gazetës ‘DITA’ që interviston Rexhep Qosen, por mendoj se edhe Profesori ka zgjedhur gazetën e duhur ku të shprehet…

Në këtë pjesë të dytë të intervistës me Profesorin jemi ndalur tek zhvillimet më të fundit politike në Kosovë dhe Maqedoni. Pse deklaron Prof. Qosja se në Kosovë është rrënuar çdo sistem vlerash. Të drejtën e sundon padrejtësia! Të vërtetën e sundon gënjeshtra! Sinqeritetin e sundon mashtrimi! Besën e sundon pabesia! Ndershmërinë e sundon prishësia! Parimësinë e sundon leverdia! Përgjegjshmërinë e sundon paskrupullësia! Të moralshmen e sundon dhe e sfidon paturpësia

Në Kosovë ka një debat nëse Republika më e re në Ballkan do të ketë ushtrinë e saj. Cili është mendimi juaj për këtë çështje afro 18 vjet pas çlirimit të Kosovës?

-Si çdo shtet, edhe shteti i Kosovës duhet të ketë ushtrinë e vet. Dhe, ushtrinë e vet mund ta krijojë si do vetë, me ligj, me ndryshim a pa ndryshim të Kushtetutës. Dhe, kur do  vetë. Ushtrinë e saj Kosova duhet ta krijojë me shumicën e votave të deputetëve në Kuvendin e saj, domethënë pa të drejtën e asnjë grupi të pakicave kombëtare që me votat e veta prej grupi ta suprimojë vullnetin e shumicës e kjo domethënë ta suprimojë demokracinë. Shtetet që e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, me faktin pse e kanë njohur, nuk kanë të drejtë as juridike, as demokratike e as etike t’i vënë kushte se si do ta krijojë ushtrinë e saj.

Prej më shumë se dy vjetësh Kosova bashkëqeverisej nga dy parti në dukje opozitare me njëra-tjetrën, sikurse janë LDK dhe PDK. A ishte normale që Kosova të vazhdonte të qeverisej nga një koalicion i tillë?

-Jo, nuk ishte normale. Dhe, nuk ishte normale që Kosova të sundohej siç po sundohej prej një koalicioni që e përbënte edhe një parti që me të gjitha mjetet jo vetëm politike ishte kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prej së cilës është krijuar PDK-ja. Dhe, ky mospajtim, në të vërtetë kjo kundërshti thelbësore midis tyre në kohë të luftës, kohë pas kohe shfaqej edhe gjatë qeverisjes  së koalicionit deri tash. Marrëdhëniet midis tyre ishin tepër të papastra për të qëndruar aq gjatë bashkë dhe është e habitshme si qëndruan deri tash. LDK-ja gjatë i ka furnizuar ndërkombëtarët me dosje plot shpifje kundër komandantëve dhe, në përgjithësi, kundër UÇK-së dhe formimi i Gjykatës speciale është rrjedhojë sidomos e këtyre dosjeve. Nganjëherë këtë punë të pistë, njerëz të saj, gazeta e portale të saj, e bëjnë edhe sot! E dëgjuat një ditë kryeministrin e Kosovës, kur Ramush Haradinajt, pak para se të arrestohej në Francë, ia përmendi Liqenin e Radoniqit.

-Ramushi  me këtë rast paska dhënë një deklaratë të fortë në Interaktiv: “Nëse arrestohen deputetët, populli do ta arrestojë Isa Mustafën”…ndoshta në Liqenin e Radoniqit. Populli thotë se atje ka të burgosur të “popullit”!

Meqenëse marrëdhëniet e ndërsjella të këtyre dy partive ishin siç ishin para luftës e gjatë luftës, nuk është e çuditshme pse marrëdhëniet e tyre të sotme dhe sundimi i tyre i sotëm ishte i padurueshëm, shumë. Në të gjitha pikëpamjet. Të gjitha këto dhe disa shkaqe të tjera, bënë që kjo qeveri më në fund të përmbyset dhe të çohet në plehun e historisë.

Por, shkaku kryesor për përmbysjen e kësaj qeverie ishin dy mosmarrëveshjet në thelb kundër kombëtare të nënshkruara para dy vjetësh, të cilat Kuvendi i Kosovës nuk i pranoi. Njërën prej tyre e quajti të paligjshme Gjykata Kushtetuese. Qeveria prandaj ishte e paligjshme qe dy vjet.

Si e shihni gjendjen e përgjithshme në Kosovë sot, Profesor?

-Ajo që më së pari bie në sy dhe ndihet në politikë, në Kosovë, sot është mungesa e sistemit të vlerave! Në të vërtetë në Kosovë është rrënuar çdo sistem vlerash. Të drejtën e sundon padrejtësia! Të vërtetën e sundon gënjeshtra! Sinqeritetin e sundon mashtrimi! Besën e sundon pabesia! Ndershmërinë e sundon prishësia! Parimësinë e sundon leverdia! Përgjegjshmërinë e sundon paskrupullësia!Të moralshmen e sundon dhe e sfidon paturpësia. E të tjera! Në Kosovë sikur po legalizohet një i ashtuquajturi racizëm social: shpërfillja e të varfërve, shkelja e të drejtave të punëtorëve prej punëdhënësve privatë, kurse në sektorin shoqëror shfrytëzimi i punëtorëve të varfër prej disa punëdhënësve privatë, pasiguria e përgjithshme e tyre – e të varfërve, e të shpërfillurve, shpunësimi i lehtë, i paarsyeshëm i atyre të paktëve që janë punësuar!

Kosova është institucionalisht e bllokuar prej egoizmit të kastës sunduese, e cila përfaqëson veten, interesat e veta e jo popullin.

Sa lojën, sa komedinë, sa tragjikomedinë e luajnë sot në Kosovë oligarkët politikë shpesh në bashkëpunim me oligarkë financiarë! Sa hajnin, sa horrin, sa mashtruesin, sa zhvatësin, sa falsifikatorin, sa rrogëtarin e sa të padinjitetshmin e të padinjitetshmen i kanë ngritur ata në partitë e tyre, në pushtetin e tyre dhe në diplomacinë e tyre të quajtur diplomaci e Kosovës! Njëri prej këtyre sundimtarëve të kastës politike- kryeministri kishte krijuar shtabin e tij me të cilin i përndiqte, i përgojonte, bënte çmos që t’i komprometonte intelektualët e opozitarët e tjerë, partiakë, që merrnin guximin ta kritikonin. A keni dëgjuar dhe a e keni parë ç’thonë e ç’bëjnë kundër disa intelektualëve abrashët e rrogëtarët e tij, nënministrat, këshilltarët, zëdhënësit e tij, tëcilët për dy ditë nënshkruajnë dyzet kontrata ryshfet!

Në Kosovë është legalizuar nepotizmi si mbeturinë shumë  e dëmshme e primitivizmit!

Në Kosovë korrupsioni është bërë sistem!

Korrupsioni ka privatizuar gjyqësorin! Në të vërtetë nepotizmi ka privatizuar Kosovën, ka zhvlerësuar e përvetësuar pasurinë e saj materiale, ka zhvlerësuar e fyer pasurinë e saj shpirtërore dhe të merituarit e saj.

Profiti ka shkretuar shpirtin e njerëzve politikë e njerëzit e politikës po shkretojnë Kosovën!

Gjithë këto të këqija në Kosovë e kanë dëmtuar fort kontekstin e kulturës dhe të qytetërimit! Asnjëherë kultura, krijimtaria shkencore dhe ajo artistike nuk janë shpërfillur e nuk janë fyer sa sot, fyer në shumë mënyra, prej kësaj politike. Është krijuar përshtypja se kasta politike e shpërfill, e fyen kulturën, e shpërfill krijimtarinë shkencore e artistike sepse e shqetësojnë meritat kombëtare të krijuesve të shquar të tyre.

– Nuk janë të paktë ata që mendojnë se “çadra” në bulevard komandohet nga një dorë që komandon fijet për destabilizim jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe Maqedoni. A mendoni edhe Ju se ekziston një skenar i tillë, domethënë një skenar antishqiptar?

 -Si intelektual që merret me trajtimin e njëmendësisë dhe të dukurive të saj politike, shoqërore, kulturore, unë nuk mund të di për ato që bëhen fshehurazi, domethënë unë nuk mund të di nëse ekziston a jo farë skenari i sigurimeve antishqiptare. Por, unë e di se këto që po ndodhin sot në Shqipëri me të madhe u përgjigjen interesave kundërshqiptare të disa shteteve dhe të disa qarqeve politike në Evropë dhe në Ballkan. E kjo do të thotë se dikush, nga jashtë, është fortë i interesuar për farë tollovie të përgjakshme në Shqipëri e në Kosovë. E Shqipëria sot është më e plagosshme se Kosova – në Kosovë është Bonstilli.

Parlamenti maqedonas u përgjak ditë më parë, ndërsa një shqiptar u zgjodh kryetar parlamenti. E konsideroni këtë një zhvillim pozitiv apo negativ?

-Mendoj se kriza në Maqedoni, që disa po e quajnë vetëm politike, nuk është vetëm politike, është dhe etnike – maqedonaso-shqiptare, është qetësuar momentalisht, por nuk është zgjidhur. Kur dhe në ç’mënyra krejt do të shpërthejë rishtazi kjo krizë unë nuk mund ta di.

Marksi gjenial dhe armiqtë e tij mediokër

Papritmas ditët e fundit u hap dhe një debat për Karl Marksin. Prof.Fatos Tarifa bëri një shkrim të veçantë për këtë temë. A mund ta konsiderojmë atë, pra, Marksin, një mendimtar e ekonomist fare të parëndësishëm si u tha, gati një mediokritet, dhe një fatkeqësi që i ra Shqipërisë në gjysmën e dytë të shekullit XX?

-Karl Marksin mund ta zhvlerësojnë si mediokritet vetëm mediokritetet. Profesor Fatos Tarifa e botoi një shkrim me mjaft të dhëna, me mjaft shpjegime e me vlerësime, që e dëshmojnë rëndësinë mendore dhe rëndësinë humane të veprës së Karl Marksit. Gjykimeve të tij historiko – letrare për veprën letrare të autorit që e nxiti debatin për Marksin u mungon, ndërkaq, karakteri shkencor. E ato ishin pak fjali. Nuk merret parasysh në ato gjykime se vetëm historia do ta tregojë nëse do t’u shpëtojë pjesa më e madhe e veprave të atij që i shqiptoi ato naivitete për Marksin, kushtëzimeve politike e ideologjike staliniste të cilave u ka shërbyer aq shumë ai.

Marksi ka krijuar teori të re për zhvillimin historik të njerëzimit, teori të re për zhvillimin shoqëror, teori të re për zhvillimin e kapitalizmit. Teori të reja nuk krijojnë mediokritetet po gjenitë. Gjykimet e tij për kapitalin po i dëshmon edhe koha jonë. Karl Marksi jo vetëm në një vit është zgjedhur njeriu i shekullit në Britaninë e Madhe. Mendimet e Marksit e kanë lëvizur historinë botërore, prandaj shumë nga krijuesit dhe intelektualët më të mëdhenj botërorë ishin ithtarë të tij, apo adhurues të tij. Mjerisht Marksi dhe marksizmi janë shtrembëruar dhe janë keqpërdorur prej  ithtarëve të tij në një varg vendesh komuniste. Nuk e ka thënë rastësisht, prandaj, ai vetë, pra Marksi, se kurrsesi nuk do të pranonte të ishte anëtar i ndonjë partie marksiste! DITA

Pasardhëse

Diskutime rreth kësaj post