Nga Saimir Kola
Mira, edhe unë si ti, ndryshe nga Artan Fuga dhe të tjerë që thua në shkrimin tënd, e shoh vendin tim nga një cep brenda këtij vendi. Edhe unë si ti jam i ardhur në Tiranë, ndoshta jo në të njëjtin vit, por po bëj 14 vite të mira në metropol. Si ti edhe unë kam punuar në media, si ti edhe unë kam një portal. Po ndryshe nga ti unë kam një problem, nuk po gjej para ta mbaj. Edhe unë kam punuar edhe me rroga të larta edhe të ulëta, besoj edhe ti ashtu, po unë sërish nuk po gjej financime për portalin tim. Me pak fjalë sa them unë këtu lart nuk është aspak xhelozi, mund të jetë gjithçka tjetër vetëm xhelozi jo. Bota nuk do të kishte ngjyra, nuk do të kishte asgjë nëse të gjithë do ta perceptonim njësoj, ta dinim njësoj, ta konturonim njësoj. Unë dhe ti mund të ndajmë mendime të ngjashme ose të njëjta për shumë gjëra në shkrimin tënd, por aty ku flet për Artan Fugën me lejo të them se nuk është aspak e vërtetë, dhe jo se e shoh nga kënvështrim tjetër. Artan Fuga e ka parë Shqipërinë edhe nga një barakë në hyrje të qytetit Studenti në Tiranë, madje për shumë vite, por Artan Fuga ka parë edhe botën pëmes librave dhe në fund edhe përmes kullës Eifel. Kështu ka qënë jeta e tij, duke ushqyer urinë me dituri e më pas me diturinë e tij ka bërë gjithçka ka.
Fuga nuk është një rrogtar i zakonshëm (term që e dëgjoj 4 vitet e fundit me tepri për pedagogët) prej të cilit ne kërkojmë llogari si para çdo rrogtari tjetër. Fuga dhe gjithë ata që janë më lart apo më poshtë se ai, e kam fjalën që janë mësimdhënës, filozofë, dijetare etj, janë një piedestal më vete në historinë e një fshati, qyteti, shteti, kombi apo kontinenti. Fuga dhe gjithë të tjerët nuk lindën me guanckën bosh dhe kryeministrat apo presidentët e radhës ua mbushën atë dhe tashmë ai u detyrohet atyre tu bëjë fresk. Është gjë e gabuar. Do të tregoj dy gjera të vogla. 1 – Në vitet 2005 – 2007 Fuga e merrte rrogën e tij një herë në dy ose tre muaj sepse qeveria e atëhershem për njëmijë arsye nuk ia jepte dot çdo muaj. 2 – Edhe sot e kësaj dite Fuga jep mësim me një mikrofon dhe autoparlant të vetin sepse ende ky shteti ynë nuk ia ka plotësuar kushtet mësimdhënësve të tij për të kryer punën që kanë. Unë nuk ndaj të njëtin memdim me ju edhe edhe për çadrën. Mira, unë jam katolik dhe katolikët në lutjet e tyre kanë një uratë (lutje) me titull “Puna e pendimit”, me pak fjalë është një lutje ku besimtari shpreh pendimin e tij para Zotit për gjithçka ai ka bërë keq me “mendime, me fjalë dhe me vepra” me apo pa dashje. Këtë uratë e kanë edhe gjykatat, nëse pranon fajin – ulet dënimi.
Nëse Lulzim Basha apo kushdo tjetër në këtë vend ka bërë diçka jo të mirë akush nuk ka tagrin t’i heqë të drejtën të pendohet për ç’ka ka bërë gabim, të rregullojë atë që ka bërë apo të marrë dënimin për atë që ka bërë. Sikurse askush nuk ia heq të drejtën një të burgosuri të predikojë për të kundërtën e asaj që ka bërë. Problemi në një situatë të tillë është a reflektojnë edhe të tjerët. Në vendin tonë, që për fat të keq unë dhe ti nuk jemi njësoj, janë bërë dy gjëra të tmerrshme. Por veç kësaj ekziston edhe një armiqësi e paparë. Ke pyetur ndonjëherë veten pse dy lidera politike e kanë të pamundur të takohen si burra apo si gra s’ka rëndësi. Ke pyetur pse e kanë kaq të vështirë të diskutojnë hapur. Ti Mira je gazetare vetë dhe besoj e di sa e vështirë është të ulësh në një panel dy politikanë shqiptarë kundërshtarë me njëri-tjetrin. 27 vjet, dhe ne mbajmë mend vetëm një debat publik mes dy kandidatëve për kryeministra. Kur ndodh kjo sa rëndësi ka kush është më i mirë mes të këqinjve? Aspak mendoj unë. Në këtë që ndodh sot unë jam në krahun e asaj që ty nuk të pëlqen.
Unë jam në krahun e Fugës, në krahun e Bashës. Interesi im është i njëjtë me atë çfarë ligjërojnë ata publikisht. Unë mendoj, Mira, se sot edhe thirrja e më të keqit të këtij vendi për t’i dhënë fund gjithë kësaj mbarsje me drogë, prostitucion, vrasje, bomba, rrahje, largime nga puna, punësime militantësh duhet dëgjuar dhe mbështetur. Janë shumë 27 vjet rropama dhe mua nuk më intereson aspak se në dorë të kujt është për t’u bërë ky ndryshim dhe interesat e kujt prish. Kjo duhet bërë. Shqiptarët një ditë duhet të ndahen me thikë nga kjo qelbje që po ia ndjejmë erën kudo. Unë mendoj se në këtë pikë ne jemi dakord të dy, ne ndahemi thjeshtë tek artikuluesit e kësaj nisme. Por edhe këtu mendoj se duhet të bashkohemi që sot nuk mund të presim që shoqëria civile do ta kryejë këtë mision. Nuk është vota ajo që i ndryshon gjërat dhe ne e kemi provuar këtë.
Nëse një qeveri e re vazhdon të sillet si e vjetra, thjeshtë ndryshon kahu politik, vota nuk ndryshon gjë. Atëherë duhet të ndodhë kjo. Të rivendosen rregullat e lojës siç janë në botën e përparuar dhe ku rregullat janë të panegociueshëm, për shqiptarët nuk ka shumë rëndësi se kush e ka qeverisur vendin, rëndësia është tek mënyra, që qeveria të mos ketë më asnjë mekanizëm të bëjë diskriminime, të lidhet me krimin e gjithçka tjetër që qeveria ka sot. Ne, Mira, jemi për të qeshur. Nuk e di nëse i pe sot se kush kandidon për deputet.
Fuga im e sheh shumë mirë vendin tonë edhe nga kulla Eifel edhe nga çadra në Tiranë edhe nga ndonjë vend tjetër. Por ai sot nuk ka asnjë zgjidhje për portalin tim. Ndoshta Fuga e kishte zgjidhjen për portalin tënd ndaj edhe nuk të pëlqen Fuga im.
Diskutime rreth kësaj post