Nga Durrësi, ku është mbajtur kongresi zgjedhor i Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka përsëritur mesazhin se shqiptarët e kanë të qartë se kë do të zgjedhin më 18 qershor.
Në fjalën e tij përpara simpatizantëve të PS, Rama ka theksuar se, edhe pse nuk bëri aq sa deshi, qeveria e tij në këto 3 vjet e gjysmë dha provën se mund dhe se do ta bëjë Shqipërinë.
“Dhe PS del më e rritur dhe më e fortë për të udhëhequr Shqipërinë dhe Shqipëria del më e mirë dhe e vetëdijshme se 3 vjet e gjysmë më parë, me bindjen se ‘po, mund të bëhem shtet’. Një shtet dinjitoz në marrëdhëniet me fqinjët dhe me botën”, ka thënë Rama.
Rama është shprehur se krahas ditës së Europës, sot është edhe dita e Shqipërisë që duam, që sipas tij duhet të jetë ajo e mirëqënies dhe e punësimit e që ndodhet përpara zgjedhjeve të radhës.
“Shqiptarët më 18 qershor do të votojnë jo për të zgjedhur kush do t’i qeverisë, por për të zgjedhur se si do të jetë Shqipëria e atyre që lindin sot, çfarë do të bëhet me Shqipërinë që po rilindim”, ka vijuar Rama.
Më tej Rama ka folur edhe për zgjedhjet e bëra së fundmi nga Partia Demokratike, e cila sipas tij, duke rënë pre e frikës nga drejtësia po shkon “në drejtim të paditur”.
“Partia që lindi 27 vjet më parë me aspiratën “Shqipërinë si gjithë Europa”, sot ka ikur në drejtim të paditur. Ka vendosur të dalë nga zgjedhjet e udhëhequr nga frika, një frikë e madhe, më e madhe se një kope lepujsh, që varen nga drejtësia. E mbyllur në një bunker plastmasi, prej nga i ka shpallur luftë me mullinjtë e erës të gjithëve, Shqipërisë, BE-së, Amerikës”, ka thënë Rama.
Dhe drejtësia është sipas tij arsyeja përse PD nuk do zgjedhje. “Nuk duan zgjedhje sepse nuk duan vettingun, nuk duan vettingun sepse nuk duan drejtësinë dhe nuk duan drejtësinë sepse kanë frikë. Dhe këtë e dinë mirë, pa votuar vettingun nuk i dalin dot përpara asnjë shqiptari për t’i kërkuar votën. Ndaj duan të hedhin në erë zgjedhjet, edhe me çmimin për të hedhur në erë Shqipërinë, siç bënë 20 vjet më parë”, ka shtuar Rama.
Ai ka paralajmëruar se Parlamenti i ri do të nisë punën menjëherë më zhbllokimin e vettingut.
Diskutime rreth kësaj post