Të gjitha stacionet televizive në Tiranë dhe Durrës do të nisin transmetimet dixhitale pas datës 30 qershor 2017. Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka bërë të ditur se në zbatim të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe Strategjisë për Kalimin nga Transmetimet Analoge në Transmetimet Numerike, miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 292, datë 02.05.2012, si institucioni që mban rol themelor në procesin e kalimit në transmetimet numerike, njofton se data përfundimtare e mbylljes së transmetimeve analoge në qarqet Tiranë e Durrës është data 30 qershor 2017.
“AMA tërheq vëmendjen të gjithë subjekteve audiovizivë që ushtrojnë veprimtari televizive analoge, të marrin masat për të mbështetur programin e tyre në rrjetin numerik të RTSH ose në njërin prej rrjeteve numerike kombëtare të licencuara nga AMA.
Nga ana tjetër, AMA kërkon nga publiku, i cili përfiton transmetimet televizive nëpërmjet teknologjisë analoge, të pajiset me marrës dixhital (dekoderë të tipit DVB-T2), pasi në të kundërt, mbas datës 30.06.2017, nuk do të mund të shohë më transmetime televizive”, thuhet në njoftimin e AMA-s.
Sipas ekspertëve, kalimi në transmetime dixhitale pritet të shoqërohet me rritje të numrit të kanaleve të transmetuara, mundësinë e lëshimit të kanaleve të reja lokale, hovin e definicionit të lartë dhe formatit të ri 16/9, shumëfishimin e shërbimeve ndërvepruese për një publik më të shumtë dhe së fundi, një përdorim optimal i spektrit hercian.
Kanalet televizive ekzistuese që transmetojnë në Shqipëri kanë ndjekur deri tani modelin tradicional të televizionit të dikurshëm në transmetimet analoge. Në programacionin e tyre, të gjitha pak a shumë kanë pasur një përmbajtje programi në përbërje të të cilit kanë qenë lajmet, kryesisht ato politike, spektaklet argëtuese, filmat dhe një numër i lartë blloqe reklamash.
Diskutime rreth kësaj post