Një sindikatë e vogël, e quajtur Sindikata e Pavarur e Ushqimit dhe Bashkim Balili ndodhen në konflikt gjyqësor prej vitit 2000 për pronësinë e Santa Quarantës-pasuri e cila u tjetërsua në mënyrë të kundraligjshme përmes dy vendimeve të kundërta të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura.
Nga Lindita Çela – BIRN
Prej marsit 2017, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetim për pasuritë e familjarëve të Klement Balilit-mes të cilave edhe hotelin luksoz “Santa Quaranta”, i shtrirë në 30 mijë metra katrorë buzë detit të Sarandës.
Resorti turistik, i ngritur mbi godinën e rrënuar të ish-kampit të punëtorëve në Sarandë u inaugurua me bujë nga politikanë të lartë të mazhorancës në gusht 2015-ai u quajt “një investim serioz i jashtëzakonshëm”.
Megjithatë, dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se shkëlqimi i hotelit “Santa Quaranta” u ngrit mbi një konflikt gjyqësor 17-vjeçar për pronësinë mes Bashkim Balilit dhe një sindikate të vogël, të quajtur Sindikata e Pavarur e Ushqimit.
Ish-kampi i punëtorëve në Sarandë është vetëm një prej shumë pronave të trashëguara nga regjimi komunist, që përmes një dekreti të Presidentit të kohës i kaluan Sindikatave në fillim të viteve ’90. Njësoj si shumica e tyre, edhe ish-kampi i Sarandës u përfshi në një tranformim të paligjshëm pronësie-konflikti i së cilit vazhdon sot e kësaj dite në dyert e gjykatave.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Ushqimit, Maksim Mebelli i tha BIRN se e kishte përfituar pronën përmes një akti dhurimi të vitit 1997 nga Bashkimi i Pavarur i Sindikatave të Shqipërisë. Mebelli kujton se mbeti i shtangur në gusht 2015, kur pa në televizor drejtues të lartë të shtetit t’i thurnin lavde investimit mbi një pronë-që ai pretendon se i takon Sindikatës së drejtuar prej tij.
“Në vitin 2011, unë kam marrë një vendim gjykate të formës së prerë dhe atë e kam çuar në hipotekë. Unë nuk di se si mund të përurohet një pronë, ndërkohë që ajo rezulton e regjistruar në emër të Sindikatës. Nuk e kuptoj dot,” tha Mebelli për BIRN.
Dokumentet e proceseve gjyqësore dhe të një hetimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit tregojnë se para se të firmoste dhurimin tek sindikata vertikale, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë kishte krijuar një shoqëri aksionere të quajtur “Dea” shpk së bashku me një kompani italiane, ku aksionet ndaheshin 40 % për BSPSH dhe 60 për qind për italianët.
Ish-kampi i punëtorëve në Sarandë kaloi gjithashtu si objekt i kësaj kompanie.
Kundërshtar i Mebellit në këtë çështje- Bashkim Balili pretendon sipas padive të dorëzuara në Gjykatë se 60 për qind të pronës e kishte blerë në ankand në vitin 2000 dhe për pjesën tjetër kishte një kontratë afatgjatë qiraje me Bashkimin e Pavarur të Sindikatave.
Veprimet e dyfishta juridike nga zyrtarët e BSPSH së asaj kohe përbëjnë edhe zanafillën e konfliktit gjyqësor të pronësisë, që ndodhet aktualisht në Gjykatën e Lartë.
I kontaktuar nga BIRN, kryetari i Bashkimit të Pavarur të Sindikatave të Shqipërisë, Gëzim Kalaja nuk iu përgjigj pyetjeve mbi pronësinë e ish-kampit të punëtorëve në Sarandë.
Zyra juridike e BSPSH i ofroi BIRN dokumente të pjesshme, për të mbështetur pretendimin se si dhurimi i ish-kampit te Sindikata e Pavarur e Ushqimit ashtu edhe kontrata e qirasë me kompaninë e Bashkim Balilit nuk janë nënshkruar nga kryetari aktual, Kalaja.
Maks Haxhia, avokati i Bashkim Balilit në këtë çështje nuk iu përgjigj gjithashtu pyetjeve të BIRN.
Ndryshimi i pronësisë
Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se pas përfitimit të pronës, zyrtarë të ndryshëm të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë kishin kryer veprime të kundërta për fatin e mëpasëm të ish-kampit të lakmuar të pushimit në Sarandë.
Të dhënat nga paditë gjyqësore dhe verifikimi në hipotekë tregojnë se fillimisht prona i ka kaluar shoqërisë “DEA”, e cila zotërohej në 60 për qind nga kompania italiane “Mare Monti Holding” dhe 40 për qind nga BSPSH, me premtimin se në të do të investoheshin 100 mijë dollarë.
Të dhënat e siguruara në hipotekën e Sarandës nga Kontrolli i Lartë i Shtetit tregojnë pronësia e ish-kampit të Sarandës i ka kaluar kompanisë “DEA” me firmë të sekretarit të përgjithshëm të BSPSH, Fatmir Musaku.
Në vitin 1996 italianët i shitën kuotat e tyre, ndërsa 60 për qindëshi i kompanisë kaloi në dy duar derisa përfundoi tek firma piramidale “Kamberi”, së bashku me një kontratë qiraje prej 25 vjetësh për pjesën tjetër të ish-kampit.
Dokumentet tregojnë se në vitin 2000, Bashkim Balili e ka blerë 60 për qind të pronës në ankand për rreth 84 milionë lekë, ndërkohë që ka lidhur kontratën e qirasë për pjesën takuese të Bashkimit të Pavarur të Sindikatave për 25 vjet.
Më parë, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura, përmes një sekretari tjetër të Përgjithshëm të quajtur Xhevdet Llubani kishte firmosur aktin e dhurimit të ish-kampit të punëtorëve në dobi të Sindikatës së Pavarur të Ushqimit në maj 1997. Ky akt-dhurimi është reflektuar në regjistrat e hipotekës së Sarandës në maj të vitit 2000.
Në qershor 2000, pasi kishte dështuar të regjistronte kontratën e qirasë në hipotekë, kompania “Titan Konstruksion” e Bashkim Balilit ka paditur në Gjykatën e Sarandës Sindikatën e Pavarur të Ushqimit, me objekt “deklarimin e pavlefshëm të kontratës së dhurimit”.
Argumenti kryesor i padisë ishte fakti se Bashkimi i Pavarur i Sindikatave nuk mund të falte ish-kampin e pushimit, pasi ishte pronare në vetëm 40 për qind të tij.
Në një seancë të vetme, trupi gjykues i kryesuar nga Petrit Aliaj vendos në favor të kompanisë “Titan Konstruksion” dhe urdhëron Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme që të regjistrojë kontratën e qirasë në favor të Balilit.
Gjyqi i mësipërm nuk është marrëdhënia e vetme që gjyqtari Aliaj, aktualisht në Apelin e Vlorës kishte me vëllezërit Balili. Në një investigim të mëparshëm, BIRN zbuloi se Aliaj deklaroi në ILDKPKI se kishte punuar si konsulent ligjor i dy kompanive të vëllezërve Balili në vitin 2005 dhe se ishte paguar prej tyre 47 mijë dollarë.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Ushqimit, Maksim Mebelli i tha BIRN se gjyqi ishte zhvilluar pa praninë e tyre dhe se ata e kishin mësuar rastësisht që kishin humbur. Ai e konsideron procesin gjyqësor të manipuluar, ndërsa dokumentet e servirura nga pala kundërshtare si të falsifikuara.
“Ne nuk morëm asnjë njoftim për zhvillimin e këtij gjyqi dhe nuk dinim se çfarë veprimesh të tjera janë bërë. E mësuam krejt rastësisht se objekti, ish kampi i pushimit në Sarandë kishte kaluar në pronësinë e Bashkim Balilit,” thotë ai.
Pesë vite më vonë, në mars 2005, një vendim i Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës vendos të rrëzojë vendimin e shkallës së parë, duke e kaluar të drejtën sërish në krah të Sindikatës së Pavarur të Ushqimit.
“Na u deshën 5 vite gjyq vetëm që të legjitimoheshim dhe më pas filloi shqyrtimi i çështjes në themel,” tregon Mebelli. Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, “Titan Konstruksion” bëri rekurs në Gjykatën e Lartë dhe fitoi.Në vitin 2008, edhe Gjykata Kushtetuese rrëzoi padinë e Sindikatës së Pavarur të Ushqimit.
Por procesi u rihap sërish në prill të vitit 2011, pasi Gjykata e Lartë legjitimoi si provë të re një hetim të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili vlerësonte se pronësia e ish-kampit të punëtorë ishte transformuar në kundërshtim me ligjin.
Shkeljet sipas KLSH
Në proceset e stërzgjatura gjyqësore, Sindikata e Pavarur e Ushqimit e ka pasur kundër Bashkimin e Sindikatave të Pavarura, e cila ka kërkuar gjithashtu anulimin e kontratës së dhurimit të vitit 1997.
Megjithatë, një dokument i siguruar nga BIRN tregon se në dhjetor të vitit 2008, Gëzim Kalaja ka firmosur një akt-dhurimi të dytë, duke dhënë 40 % e mbetur nga ish-kampi për llogarinë e Bashkim Balilit.
Sipas kontratës së nënshkruar, Kalaja i dhuron pjesën e zotëruar të ish kampit të punëtoreve Bashkim Balilit, në këmbim të një sipërfaqe toke prej 3500 m2 në Linzë të Tiranës.
Ky këmbim është bërë në dhjetor të vitit 2008, ndonëse Kontrolli i Lartë i Shtetit e kishte quajtur tjetërsimin e pronave të sindikatave të paligjshëm. Në tetor të vitit 2006, Kontrolli i Lartë i Shtetit nisi një verifikim të historikut të tjetërsimit të ish-kampit të pushimit në Sarandë pas ankesës së Sindikatës së Pavarur të Ushqimit dhe arriti në përfundimin se regjistrimi në favor të Balilit ishte bërë në kundërshtim me ligjin.
KLSH rekomandon pezullimin e veprimeve, deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes nga gjykata.
Regjistrimin e pasurisë në emër të shoqërisë “Dea” shpk, Kontrolli i Lartë i Shtetit e gjen të paligjshëm. Sipas saj, shkresa e sekretarit të përgjithshëm së BSPSH-së, i cili përcakton se kampi është objekt i shoqërisë tregtare nuk përbën dokument për regjistrimin e pasurisë, pasi “nuk ka një dokument ligjor si kontratë shitblerjeje apo një vendim të veçantë për tjetërsimin e saj”.
Po kështu, KLSH vë në pikëpyetje faktin se aksionerët e DEA zotërojnë edhe ish-kampin e pushimit, pasi sipas dekretit të vitit 1992, pasuria e Sindikatave nuk mund të tjetërsohet deri në vitin 2020.
Pas kërkesës së Sindikatës së Pavarur të Ushqimit, Gjykata e Lartë ka vendosur të rihapë çështjen, duke e njohur kontrollin e KLSH-së si një provë të re në gjykim. Që prej vitit 2012, çështja është në pritje të gjykohet në Gjykatën e Lartë. E pyetur nga BIRN, zëdhënësja e Gjykatës së Lartë tha se shqyrtimi i çështjes është shtyrë për shkak të mosplotësimit të kuorumit të trupës gjyqësore.
Maksim Mabelli i tha BIRN se pas 17 vitesh në gjyq, është ende në pritje të nisjes së procesit në Gjykatën e Lartë. “Nuk do të heq dorë asnjëherë nga e drejta e pronësisë që zotëron Sindikata e Pavarur e Ushqimit,” përfundoi ai.
Diskutime rreth kësaj post