Vijojnë shkarkimet në radhët e Policisë së Shtetit. Pas shkarkimit të 29 drejtuesve të lartë javën e kaluar, është shkarkuar drejtori i parandalimit të krimit, Skënder Kalemi, i cili është një prej zyrtarëve që ka marrë pjesë së bashku me ekspertët ndërkombëtarë, në hartimin e strategjisë kombëtare kundër kultivimit të kanabisit.
Në vend të tij, është emëruar Albert Dervishaj i cili më parë mbante postin e shefit të rendit publik. Ky i fundit është zëvendësuar nga Gëzim Zhupaj, ish drejtor i kufirit në Vlorë ndërkohë që drejtor i policisë rrugore është komanduar Skënder Ismaili, pas largimit të Ardi Veliut i cili mori drejtimin e policisë së Tiranës.
Në krye të repartit special Delta Force është emëruar Artur Selimi, i cili zë vendin e Albert Nushit, që mori drejtimin e policisë së Fierit. Lëvizjet e fundit kanë shkaktuar pakënaqësi në radhët e uniformave blu. Ish-drejtori i policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, mësohet se ka refuzuar të drejtojë sektorin e sekretarisë dhe protokollit në drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit.
Edhe disa ish-drejtorë të tjerë, që i janë propozuar emërime në sektorë “parazitarë” mësohet se i kanë shprehur pakënaqësitë për këto lëvizje, kryepolicit Haki Çako i cili ka firmosur lëvizjet e tyre. Shkarkimi i drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit vjen në kuadër të një prej kërkesave të opozitës, se duhet të largohen krerët e lartë të policisë pasi mund të jenë të lidhur me krimin.
Javën e kaluar u shkarkuan 29 drejtues të lartë të policisë, mes të cilëve ishin: Drejtues i Parë Idajet Faskaj, deri tani Drejtor në Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqet, në Drejtorinë e Përgjithshme për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet, Drejtor i Përgjithshëm për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda; Drejtues Sokol Selfollari, deri tani Këshilltar në Zyrën Ndihmëse të Drejtorit të Policisë së Shtetit, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet Drejtor në Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqet, në Drejtorinë e Përgjithshme për Hetimin e Krimit te Organizuar dhe Krimet e Rënda; Drejtues Aida Hajnaj, deri tani Shef i Sektorit për Hetimin e Pastrimit të Parave, në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet, Drejtor i Përgjithshëm për Kufirin dhe Migracionin, etj.
Diskutime rreth kësaj post